Autoriteti i Konkurrencës vendosi sot të hapë një hetim të thelluar në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK.
Sipas njoftimit të institucionit, Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim raportin e hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve në fjalë dhe gjatë vlerësimit të sjelljes së ndërmarrjeve u vu re se, ndërmarrjet mund të përdorin skemën e ofertës së mbuluar duke rënë dakord që njëri nga konkurrentët të paraqesë një ofertë e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga autoriteti kontraktues.
Si përfundim, bazuar në nenin 4, pika 1, të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sipas të cilit ndalohen të gjitha marrëveshjet, që kanë si objekt, ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, si dhe Udhëzimin “Mbi luftimin e marrëveshjeve të ndaluara në oferta në prokurimet publike”, sjellja e ndërmarrjeve: Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK, në tregun e prokurimit me objekt “Blerje pajisje instrumente, vegla elektrike dhe digjitale (pajisje për kontrollin dhe matjen e mbrojtjes katodike CIPS dhe DCVG)”, të zhvilluara nga autoriteti kontraktues, Albanian Gas Services Company SHA, hedh dyshime për kufizime të mundshme të konkurrencës nëpërmjet një marrëveshjeje të dyshimtë në oferta midis tyre.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 26 Shtator 2022 deri në 26 Tetor 2023./MONITOR
Leave feedback about this