Qeveria synon të përdorë inteligjencën artificiale në disa procese pune të administratës publike që kanë si synim përafrimin e disa aspekteve ligjore e rregullatore të kuadrit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit çeli këtë të enjte tenderin me një fond limit 279 milionë lekë apo rreth 2.6 milionë euro me objekt “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin e Transpozimit të Aqcuis për Integrimin Evropian”. Në dokumentet e procedurës nënvizohet se “objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është implementimi i teknologjisë AI në institucionet publike me qëllim përshpejtimin e procesit të transpozimit të akteve të BE. Ofrimi i këtij shërbimi nëpërmjet përdorimit të kapaciteteve NLP (Natural Language Processing), do të mundësojnë automatizimin, grumbullimin, seleksionimin e të gjithë akteve/ligjeve të sjella nga BE dhe aksesimin e këtyre kodeve në çdo kohë dhe nga çdo pajisje nga të gjithë aktorët e përfshirë në këto procese”
Konkretisht, ky automatizim sipas AKSHI-t përfshin shtimin e teknologjisë AI në institucionet publike për menaxhimin e kërkesave dhe dhënies së informacioneve të dëshiruara, të marra nga aktet e BE ndaj të gjithë përdoruesve të platformës përgjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij projekti.
Në thelb qëllimi i kësaj nisme është konfigurimi i një platforme për institucionet publike e cila vendos në përdorim Inteligjencën Artificiale (AI) me qëllim uljen e barrës administrative të transpozimit të legjislacionit të BE-së.
Po kështu përdorimi i AI në përgatitjen e akteve për përafrim, në proceset e: grupimit dhe kategorizimit të akteve/rregullores së Acquis, filtrimin e informacioneve sipas prioritetit dhe përkthimin e akteve.
Një tjetër qëllim është përdorimi i AI në krahasimin e legjislacionit aktual shqiptar me atë të Acquis për të identifikuar: boshllëqe, mospërputhje, dhe ngjajshmerite si dhe në hartimin e një draft ndërhyrjeje ligjore dhe/ose përafrimit të politikave në sistemin tonë.
Arsyeja e kësaj nisme lidhet me faktin se tashmë në këtë etapë të re Shqipërisë i duhet të përshpejtojë procesin për transpozimin e Acquis ndërkohë që volumi i punës mbetet i lartë.
“Niveli i radhitjes së Acquis të BE-së në sistemin tonë ligjor mbetet i ulët, me një shpejtësi aktuale për hartimin e legjislacionit të përafrimit më afër më shumë se 60 akteve në vit. Duke filluar procesin e negociatave në korrik 2022, Shqipëria duhet të përshpejtojë procesin e radhitjes, prandaj:
- Ekziston nevoja që Shqipëria të përshpejtojë integrimin në BE (veçanërisht të bashkohet me Tregun e Vetëm) – një nevojë e tillë mund të mbështetet nga optimizimi i kohës dhe burimeve gjatë procesit të negociatave
- Shqipëria mund të kërkojë të miratojë mjete teknologjike për të ulur barrën administrative të transpozimit të legjislacionit të BE-së në kontekstin shqiptar, etj.
- Inteligjenca Artificiale (AI), mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e shtrirjes së Acquis të BE-së në Shqipëri; Implementimi i një sistemi AI do te bënte te mundur automatizimin e proceseve te punes së përafrimit të akteve ligjore lidhur me të, të tilla si vlerësimi i ndikimit të Acquis të BE-së, identifikimi i boshllëqeve, analiza dhe madje edhe ofrimi i disa veprimtarive paraligjore (hartuese) dhe të tjera mbështetëse” thuhet në dokument.
/Monitor
Leave feedback about this