Është inauguruar në Ministrinë e Mbrojtjes Qendra për Reagim kundër Sulmeve Kibernetike (CCARC). Kryeministri Edi Rama thotë se krijimi i njësisë ushtarake të sigurisë kibernetike është një hap i madh drejt mbrojtjes së botës dixhitale.
Ndër të tjera në postimin në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehet se kjo njësi do të luajë një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, kjo falë edhe mbështetjes së aleatit tonë strategjik të SHBA-së.
Kreu i qeverisë ishte i pranishëm në këtë njësi bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, të Ngarkuarin me Punë të ambasadës së SHBA-së, David Wisner dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Gjeneralmajor Arben Kingji.
Ata panë nga afër punën e stafit në këtë njësi.
Qendra për Reagim kundër Sulmeve Kibernetike (CCARC) në Ministrinë e Mbrojtjes është vënë në punë nga IBM Security QRadar Suite.
Qendra është në gjendje të zbatojë operacione të vazhdueshme për të shquar, pakësuar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike kundër infrastrukturës kritike mbrojtëse të teknologjisë së informacionit.
Qendra prej 8.4 milionë Dollarësh është pjesë e një fondi më të gjerë prej 50 milionë dollarësh e përpjekjeve të ndihmës së Shteteve të Bashkuara për sigurinë kibernetike të Shqipërisë.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah aleatit dhe partnerit të tyre duke forcuar praninë dhe koordinimin e sigurisë kibernetike të Shqipërisë për një të ardhme digjitale më të sigurt”, u shpreh edhe ambasada e SHBA-së në lidhje me këtë cështje.
Leave feedback about this