Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur monitorimin e tregut të autoshkollave, që prej marsit të vitit të kaluar.
Sipas një njoftimi të ndarë për mediat, Autoriteti i Konkurrencës njofton se në përfundim të monitorimit ka rezultuar se autoshkollat kanë zbatuar vendimin e Komisionit të Konkurrencës, që ndalonte rritjen e çmimeve, të parashikuar në një akt-marrëveshje të shkurtit 2023.
“Në përfundim të procedurës së monitorimit të tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës, në zbatim të VKK nr. 970/2023, rezulton se, nga ana e subjekteve Autoshkolla është zbatuar pika I e VKK nr. 970/2023, duke mos aplikuar rritjen e tarifave sipas Akt Marrëveshjes nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, e cila është vlerësuar si një akt marrëveshje në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121/2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr.1071, datë 19.04.2024, vendosi mbylljen e procedurës së monitorimit të zbatimit të VKK nr. nr. 970, datë 24.03.2023, “Mbi vlerësimin ligjor të Akt Marrëveshjes nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, të lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, njofton Autoriteti i Konkurrencës.
Në mars 2023, Konkurrenca vendosi se akt-marrëveshja e datës 13.02.2023, e lidhur ndërmjet DPSHTRR-së, Shoqatës “Kombëtare e Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, binte në kundërshtim me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Sipas Komisionit, zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të çonte në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg. Si e tillë, ajo u klasifikua si marrëveshje e ndaluar. Kështu, për t’u siguruar se vendimi do të zbatohej nga autoshkollat, Konkurrenca vendosi edhe monitorimin njëvjeçar të tregut.
Nga marsi 2023, Konkurrenca i ka monitoruar Autoshkollat në lidhje me çmimet e caktuara për mësimin teorik dhe trajnimit praktik për pajisjen me leje drejtimi. Nga monitorimi në terren i rreth 45 subjekteve autoshkolla, nëpër qarqe të ndryshme të Shqipërisë, të cilat ofrojnë shërbimin e mësimit teorik dhe trajnimit praktik për pajisjen me leje drejtimi, kategoria B, rezultoi se me çmimet e ofrimit të këtyre shërbimeve variojnë nga 23.000 lekë deri në 45.000 lekë.
Kryesisht subjektet autoshkolla që ndodhen në qarkun e Tiranës ofrojnë çmime më të larta se subjektet autoshkolla të qarqeve të tjera në vend. Disa nga faktorët që sjellin diferenca midis çmimeve të paketave të shërbimeve të ofruara nga autoshkollat, kanë rezultuar numri i orëve mësimore; kostot e ndryshme; materialet mësimore, etj.
Nga monitorimi i subjekteve autoshkolla rezulton se, gjatë periudhës së monitorimit (mars 2023 – mars 2024), nuk vërehen ndryshime të çmimeve të shërbimit të mësimit teorik dhe trajnimit praktik për pajisjen me leje drejtimi (kategoria B), si dhe për pajisjen me leje drejtimi për kategoritë e tjera.
Gjithashtu edhe nga takimet e zhvilluara më datë 19.03.2024 me përfaqësues të Shoqatës “Kombëtare e Autoshkollave” dhe Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë”, rezultoi se, giatë periudhës njëvjecare nën monitorim, çmimi i shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi të ofruara nga subjektet autoshkolla nuk ka pësuar rritje.
Gjatë periudhës së monitorimit Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 41, datë 22.12.2023, “Për miratimin paraprak të tarifave të lejedrejtimit dhe tarifave të çertifikatës së aftësisë profesionale”, ka miratuar paraprakisht tarifat e reja të shërbimeve të lejedrejtimit dhe shërbimeve të certifikatës së aftësisë profesionale. Ky vendim është miratuar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë me shkresën nr. 6/1 prot., datë 16.01.2024, “Mbi miratimin e vendimit nr. 41, datë 22.12.2023 të Këshillit Drejtues”.
Rishikimi i tarifave të shërbimeve të drejtuesve të mjetit, sipas DPSHTRR, është bërë bazuar në përllogaritjen e analizës së kostos, pas 23 vitesh.
Një pjesë e tarifave nuk ishin rishikuar që nga viti 2001 dhe pjesa më e konsiderueshme e tyre kanë qenë të pandryshuara prej 15 vitesh, pavarësisht rritjeve të kostove operative dhe rritjes së kostove në sistemet informatike për informatizimin e shërbimeve.
Gjithashtu në vijim të ndryshimeve të fundit të Kodit Rrugor, neni 124, është zgjatur në 15 vjet afati i vlefshmërisë së lejedrejtimit për personat deri në moshën 70 vjeç.
Në përfundim të procedurës së monitorimit të tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi rezultoi se nga ana e subjekteve autoshkolla është zbatuar pika I e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 970/2023, duke mos aplikuar rritjen e tarifave.
Leave feedback about this