Vendimi reflekton performancën e fortë ekonomike dhe fiskale të vendit
Agjencia Standard & Poor’s rrit vlerësimin e Shqipërisë në BB, me perspektivë të qëndrueshme, falë përmirësimit të pozicionit fiskal, nga BB minus që ishte vlerësimi i mëparshëm.
Ky është rishikimi i dytë në rritje brenda një viti dhe sipas agjencisë, vendimi ka reflektuar performancën e fortë ekonomike dhe fiskale të vendit gjatë viteve të fundit.
“Investimet e larta neto të huaja direkte, remitancat dhe rritja e shpejtë e eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të larta gjeopolitike dhe pasigurive në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti”, shprehet agjencia Standard & Poor’s.
S&P parashikon që rritja reale e PBB-së së Shqipërisë të mbetet mbi 3% deri në vitin 2028, e nxitur nga investimet dhe konsumi.
Agjencia tha se gjithsesi sfidat kryesore vazhdojnë, të tilla si tkurrja e forcës së punës dhe emigracioni i vazhdueshëm, ndërsa varësia e vendit nga turizmi dhe kërkesa e jashtme prej tregjeve kryesore të BE-së shton vulnerabilitetin ekonomik.
Edhe rreziqet fiskale mbeten të pranishme për shkak të nivelit të lartë të borxhit në valutë të huaj dhe angazhimeve të konsiderueshme të Partneriteteve Publike-Private.
Ndërkohë, tensionet diplomatike me Greqinë mund të paraqesin sfidë për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, theksoi agjencia globale e vlerësimit.
Leave feedback about this