Degët e mësuesi po kthehen në programet e studimit më pak të preferuara të të rinjve. Edhe pse ato janë përfshirë në degët prioritare ku studentët që regjistrohen përfitojnë bursë mujore sa paga minimale, të rinjtë nuk janë stimuluar që t’i zgjedhin.
Në mbyllje të dy raundeve të regjistrimeve në universitete degët e mësuesi kanë plotësuar vetëm 45% të kuotave të miratuara. Sipas sindikatës së arsimit rënia e numrit të studentëve në këto degë vit pas viti, është reflektuar dhe tek mungesa e mësuesve.
“Sipas statistikës së Ministrisë së Arsimit vitin e kaluar kishim rreth 3000 mësues me kontrata që nuk ishin mësues me arsim përkatës që do të thotë 10% e mësuesve. Kemi mungesë mësuesish për ciklin e ulët dhe parashkollorët në Tiranë ndërsa në rrethe kemi probleme me mësuesit e gjuhës së huaj dhe mësuesit e shkancave, matematikë dhe fizikë.”
Një mësues i arsimit fillor, paguhet mesatarisht me një pagë neto rreth 580 mijë Lekë në muaj, ata të arsimin të mesëm të ulët, pra nga klasa e 6 në klasën e 9 marrin në muaj rreth 62 mijë Lekë, ndërsa mësuesit e gjimnazeve arrinë diku tek 67 mijë Lekë në muaj.
Dhe një prej faktorëve kryesor që maturantët nuk i zgjedhin këto programe studimi, janë pagat e ulëta. Madje as vetë arsimtarët nuk i shtynë fëmijët e tyre të ndjekin këtë rrugë.
“Kemi pasur familje arsimtarësh. Unë i njoh me breza kurse brezi i fundit nuk po i dërgojnë më fëmijët për mësuesi. Normalisht është një profesion i vështirë. Këtë problem e ka edhe Europa, por ajo e ka për shkak të vështirësisë së profesionit ndërsa këtu tek ne për shkak të rrogës së ulët që nuk i siguron një jetë normale.”
Problematikë nuk janë vetëm degët matematikë, fizikë dhe kimi, por rënie të numrit të studentëve kanë edhe gjuhët e huaja, shkencat sociale, por edhe programet histori dhe gjeografi, që formojnë mësuesit e e ardhshëm në këto profile. Po ashtu problematikë është dhe arsimi fillor dhe ai parashkollor. Duke nisur nga data 4 deri më 18 Tetor në universitete nis raundi i fundit i regjistrimeve që është i lirë dhe ata maturantë që nuk janë rejgistruar në asnjë program kanë mundësi që të regjistrohen pranë sekretarive të fakulteteve.
PAGAT E MËSUESVE (neto)
Arsimi fillor 58,000 Lekë/muaj
Arsimi i mesëm i ulët 62,000 Lekë/muaj
Arsim i mesëm i lartë 67,000 Lekë/muaj
Leave feedback about this