Rënia e fortë e monedhës euro, si dhe emigrimi i popullsisë ka ngadalësuar eksportet e bimëve mjekësore. Për periudhën janar-mars sipas të dhënave të INSTAT eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” u ulën 8,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për vitin 2023 rënia e eksporteve të këtij grupi është më e fortë se muajt janar-mars 2020, ku muaji mars përkoi me nisjen e pandemisë së Covid-19. Në 3 mujorin e parë të 2020-s eksportet e bimëve medicinale ranë rreth 2% krahasuar me periudhën janar-mars 2019. Ndërsa në peshën neto eksportet e bimëve medicinale për janar-mars 2023 janë rritur rreth 2,3% më shumë se e njëjta periudhë e 2022-t. Shoqata e bimëve medicinale dhe aromatike thekson se faktorët kryesore që kanë ndikuar në ngadalësimin e eksporteve janë zhvlerësimi i monedhës euro dhe ulja e popullsisë së zonave malore, që kanë prekur mbledhjen e bimëve medicinale. Filip Gjoka kryetari i shoqatës pohoi më herët se humbjet e kompanive për çdo transaksion me vlerë 50,000 euro arrijnë 10% krahasuar me vjet për shkak të rënies së euros. Përfaqësuesit e shoqatës gjithashtu ngrenë shqetësimin për edhe problematikën e emigracionit të popullsisë, por edhe të largimit të banorëve të zonave rurale drejt atyre urbane. Problemi i mprehtë i mungesës së punonjësve ka detyruar edhe sektorin e bimëve medicinale t’i kthejë sytë nga vendet aziatike. Rreth 29 punonjës nga India pritet të vijnë në muajt maj-qershor për t’u punësuar në fabrikat e përpunimit të bimëve mediciale. Kompanitë janë duke shqyrtuar mundësinë për përfshirjen e punonjësve të huaj edhe në sektorin e mbledhjes së bimëve në zonat malore. Për periudhën janar-mars 2023 sipas të dhënave të INSTAT 28% e eksporteve të grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” kishin destinacion Gjermaninë, 29% e tyre u eksportuan në SHBA, pjesa tjetër në Turqi, Greqi etj. Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, edhe për 2023 kërkesa për bimë medicinale sipas kompanive eksportuese është e lartë në tregjet e huaj. Eksportet kryesohen nga artikuj, si: sherebela, rigoni, bima e trumzës, rozmarinë dhe dëllinjë e zezë. Çmimi i dëllinjës së zeza që prodhon xhinin është rritur 30%. Kërkesë e shtuar këtë vit për të gjitha llojet e bimëve është shënuar edhe në Japoni./Monitor/
Aktualitet
Eksportet e bimëve mjekësore bien 8% për muajt janar-mars nga zhvlerësimi i euros dhe mungesa e fuqisë punëtore.
- May 1, 2023
- 0 Comments
- 94 Views
Leave feedback about this