Rritja e tregut të sigurimeve është ngadalësuar gjatë muajve të verës.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të 8-mujorit, primet e shkruara bruto arritën vlerën e 15.3 miliardë lekëve, në rritje me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse rritja ngelet në ritme dyshifrore, ajo ka ardhur duke u ngadalësuar në muajt e fundit. Në fund të 7-mujorit, rritja e primeve të shkruara bruto kishte qenë 11.2%, ndërsa në fund të 6-mujorit kishte qenë pothuajse 13%.
Ngadalësimi i rritjes së tregut të sigurimeve mund të jetë ndikuar edhe nga kursi i këmbimit. Sipas të dhënave të AMF-së, për gjysmën e parë të këtij viti afërsisht 34% e primeve të shkruara bruto në sigurime ishin të llogaritur në valutë të huaj, kryesisht në Euro.
Ndërkohë, që statistikat raportohen në Lekë, forcimi gradual i monedhës vendase në kursin e këmbimit ka dhënë një efekt negativ në vlerën e primeve të shkruara në valutë të huaj.
Kontributin kryesor në rritjen e tregut për 8-mujorin e ka dhënë tregu i Jo-Jetës, me një rritje të primeve prej 10.7%, ndërsa për tregun e sigurimit të jetës primet u rritën me 8.1%.
Tregu i Jo-Jetës këtë vit po shfaq një rritje të peshës së sigurimeve vullnetare.
Sigurimi i pronës nga katastrofat ngelet produkti kryesor i sigurimit vullnetar, me 11.7% të primeve të shkruara bruto, nga 10.9% që zinte një vit më parë. Vijon sigurimi KASKO i automjeteve, me 7.2% të primeve, nga 6.6% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, duke qenë se një pjesë e mirë e produkteve vullnetare kanë prime të llogaritur në valutë, edhe masa e rritjes së tyre është ngadalësuar në muajt e fundit.
Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen sidoqoftë dominuese në tregun e Jo-Jetës. Në fund të 8-mujorit, ato përbënin 64.3% të primeve të shkruara bruto, nga 66.3% që zinin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e peshës së sigurimeve të detyrueshme motorike ka ardhur kryesisht nga një rritje e dobët e primeve për produktet e kartonit jeshil dhe Policës Kufitare.
Duke qenë se të dyja këto produkte shiten në Euro, edhe në këtë rast vlerësohet se një ndikim të konsiderueshëm ka dhënë kursi i këmbimit.
Nga ana tjetër, këtë vit dëmet po rriten me ritme më të ngadalta. Për 8-mujorin, dëmet e paguara bruto kishin vlerën e 4.3 miliardë lekëve, në rritje me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tregun e Jo-Jetës, dëmet janë rritur me 3.7% dhe kontributin kryesor në rritjen e dëmeve e kanë dhënë sigurimet e detyrueshme motorike.
Ndërkohë, në tregun e sigurimit të Jetës dëmet për 8-mujorin 2023 kanë pësuar rënie me 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /E.Shehu
Leave feedback about this