Organizata Qëndresa Qytetare prezantoi të hënën gjetjet e raportit të monitorimit mbi transparencën financiare të shtatë universiteteve publike në Shqipëri përgjatë vitit akademik 2023-2024.
Sipas Ilir Brashës, ekspert i Qëndresa Qytetare, shpenzimet totale për shtatë universitetet e monitoruara kanë arritur shumën 87.9 milionë Euro, por pjesa më e madhe e tyre shkon për shpenzime personeli.
Listën e shpenzimeve totale e kryeson Universiteti i Tiranës me mbi 25 milionë Euro, ndërsa në vend të fundit renditet Universiteti Fan S.Noli i Korçës me 5 milionë Euro shpenzime.
Zërat kryesorë të shpenzimeve që marrin një buxhet të konsiderueshëm janë rikonstruksioni dhe ruajtja e godinave të universiteteve, si edhe honoraret dhe shpërblimet ndaj stafit. Sipas ekspertëve të monitorimit, shqetësuese vijon të mbetet situata lidhur me financimin dhe buxhetin që alokohet për kërkimin shkencor.
“Pesë nga shtatë universitetet e monitoruara dedikojnë më shumë se 55% të shpenzimeve për personelin, gjë që kufizon fondet për zhvillimin akademik dhe përmirësimin e infrastrukturës,” thuhet në raport.
“Shpenzimet për studime dhe kërkime zënë vetëm 0.17% të shpenzimeve totale të universiteteve të analizuara,” shtoi më tej Brasha gjatë prezantimit.
Teksa kërkimi shkencor vijon të mbetet më pak i financuari, disa prej universiteteteve investojnë në laboratore dhe pajisje të cilat nuk u vihen kurrë në dispozicion studentëve.
“Laboratori i medias digjitale në Universitetin e Tiranës ekziston, por nuk është hapur kurrë për studentët. Në sallën ‘Laboratori i Makinave Elektrike” në UPT ndodhen pajisje moderne të instaluara rreth një vit më parë, por akoma të papërdorura,” vlerëson raporti.
Vetë studentët e këtyre universiteteve konfirmuan mangësitë që atyre ua bëjnë të pamundur perfomancën në studime.
“Bibliotekat tona lënë për të dëshiruar. Ne e kemi të pamundur të kryejmë kërkime shkencore pasi na mungon literature,”,tha Desada Xhetani, përfaqësuese e studentëve në senatin akademik të Universitetit të Tiranës.
Nga ana tjetër, pavarësisht se shpenzimet për pajisje informatike kanë arritur vlerën 2.3 milionë Euro, studentët vijojnë të ankohen për mungesë interneti, mungesë kompjuterash dhe pajisjesh digjitale në sallat e studimit.
“Rezulton se Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 493 mijë Euro për blerjen e pajisjeve informatike, por një nga shqetësimet e ngritura nga studentët në mënyrë të vazhdueshme lidhet me mungesën e internetit në ambientet e godinave të universitetit dhe në sallat ku zhvillohet mësim”, tha Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.
Një tjetër mangësi që thekson raporti është mungesa e transparencës nga ana e universiteteve, kryesisht ai i Tiranës.
“Universiteti i Tiranës është shndërruar në njëfarë ‘bunkeri’ përsa i përket transparencës. Kryefjala e çdo shpenzimi për to është ‘sekret tregtar’, nuk i përgjigjen kërkesave tona për informim”, tha Rigels Xhemollari gjatë fjalës së tij.
Edhe përfaqësues të Kontrollot të Lartë të Shtetit bënë thirrje për rritje të transparencës nga ana e universiteteve.
“Aty ku ka mungesë transparence, ka një risk të lartë për korrupsion,” tha në takim Aulent Guri nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Leave feedback about this