Ku po shkon rinia?/ Bizneset, të alarmuara. Po vuajnë të gjithë sektorët nga mungesa e punonjësve
Aktualitet

Ku po shkon rinia?/ Bizneset, të alarmuara. Po vuajnë të gjithë sektorët nga mungesa e punonjësve

Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë me aftësi.

Liria e lëvizjes për zgjedhur vendbanimin dhe profesionin, një tipar dallues i globalizmit prej të cilit janë prekur edhe vendet e zhvilluara, po e përball Shqipërinë me pasoja fatale, boshatisjen e vendit.

Bizneset, të alarmuara nga mungesa e punonjësve, po vuajnë të gjithë sektorët

Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem madhor për të gjithë sektorët. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira. industria fason, bujqësia dhe turizmi kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë.

Shifrat:

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2,79 milion banorë, duke pësuar rënie prej 1,3 % krahasuar me një vit më parë.

Sipas Agjencisë së BE-së për Azilin dhe sipas Zyrës Evropiane të Azilantëve (EASO), në raport me popullsinë, Shqipëria është e para për azilkërkuesit në BE, me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë.

Sipas Gallup-it “largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79%. Shqipëria është në krye të listës nga ku largohen të rinjtë dhe është e para në Evropë nga ku të rinjtë duan të ikin për të studiuar, por edhe për të punuar jashtë shtetit. Mbi 90% e të rinjve të intervistuar shprehen se e kanë menduar seriozisht të largohen nga Shqipëria, si për një jetë më të mirë, për një arsimim më cilësor apo një punësim më të mirë”. 

“Sipas INSTAT, në 1 janar 2021, popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 2,7 %. Ndërkohë që, po sipas INSTAT, mosha mesatare e popullsisë shqiptare është rritur në 10 vitet e fundit, pra nga 1 janar 2011 në 1 janar 2021, në 38 vjeç”.

Çfarë thotë Eurostat në lidhje me largimin e të rinjve shqiptarë?

Vetëm në 10 vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria rreth 140 mijë të rinj. Vetëm në vitin 2020 rreth 78% e azilkërkuesve në Evropë ishin të rinj nga Shqipëria. Është shqetësuese sepse nga Shqipëria po largohen të rinj të arsimuar, ata të cilët mund të jenë forcë punëtore.

Emigrimi i studentëve në shkallë të madhe pasqyron çekuilibrat e fuqishme të brendshme në Shqipëri, përfshirë pabarazinë midis hapësirës Durrës–Tiranë dhe pjesës tjetër të vendit, mundësitë e kufizuara për të diplomuarit që të gjejnë punë, të cilat u japin kënaqësi dhe të ardhura që përputhen me kualifikimet e tyre dhe fenomeni i klientilizimit për të gjetur një punë të nivelit të lartë.

Maturantët në tkurrje, 59% duan të ikin

Numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm të arsimit po bie me shpejtësi prej rënies së lindjeve dhe emigrimit. Për rrjedhojë, numri i maturantëve shqiptarë në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale të vendit, arriti në 33 mijë nxënës në vitin 2022 nga 39.629 më 2015, ose mbi 14.1% më pak.

Dëshira për të studiuar jashtë vendit përgjithësisht shfaqet që në vitin e parë të shkollës së mesme dhe është një perceptim dhe reflektim i të rinjve për kushtet e arsimit dhe perspektivën e tyre në Shqipëri.

Sipas një ankete që OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) realizoi vitin e kaluar në 6 vendet e Ballkanit perëndimor. Shqipëria ka përqindjen më të lartë te të rinjve deri në 24 vjeç që emigrojnë.

Të anketuarit u pyetën për arsyet e tyre kryesore që i shtyjnë ata të emigrojnë për t’u zhvendosur në një vend tjetër. Nga një listë me 13 arsye të mundshme, 79% e të anketuarve renditen pagat më të larta si arsyen më të rëndësishme për të lënë vendin e tyre.

Një grup faktorësh që nxisin emigrimin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnjë, Maqedoni, Mal i Zi përfshijnë, ndër të tjera, lidhen me standardet më të ulëta të jetesës në krahasim me vendet e destinacionit, nivele më të larta të korrupsionit dhe paqëndrueshmëria politike.

Anketa evidentoi se, dobësitë në tregun e punës dhe pagat e ulëta krijojnë stimuj për emigracion nga Ballkani Perëndimor. Norma mesatare e papunësisë në Rajon është më e lartë se dyfishi i mesatares së OECD-së, duke filluar nga 9% në Serbi, 12% në Shqipëri dhe deri në 26% në Kosovë.

Të punësuarit marrin mesatarisht paga shumë më të ulëta se punonjësit në destinacionet kryesore të BE-së. Për shembull pagat minimale mujore në Gjermani dhe Francë dy herë më të larta se në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbi, dhe gati katër herë më e lartë se në Shqipëri.

Sistemet arsimore të Ballkanit Perëndimor shfaqin dobësi të forta duke u bërë shkak për emigracion. Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) tregon se mesatarisht gjysma e të gjithëve 15-vjeçarëve në rajon nuk i arrijnë aftësitë bazë në shkrim-leximit apo ne matematikë. Më shumë se dy të pestat e bizneseve të anketuara në Rajon përmendin mungesën e aftësive të aplikantëve si arsye për vendet e lira të paplotësuara.

Mospërputhja midis ofertës për aftësi dhe kërkesës për punë po stimulon të rinjtë në veçanti të kërkojnë mundësi të përshtatshme pune jashtë vendit. Kjo është më e dukshme në Shqipëri, e cila ka përqindjen më të lartë te të rinjve deri në 24 vjeç që emigrojnë.

Anketa evidentoi se, zhvillimi i sektorit privat pengohet nga një klimë sfiduese e biznesit, nivele të larta të korrupsioni dhe lidhjet e dobëta ndërmjet investimeve të huaja direkte (IHD) dhe sektorëve vendas. Për më tepër, më shumë se një e pesta e bizneseve në Ballkanin Perëndimor e identifikojnë korrupsionin si një pengesë kryesore për të bërë biznes në Rajon.

Një mjedis i tillë pengon potencialin për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, të cilat nga ana e tyre mund të përforcojnë faktorët e emigrimit” thuhet në studimin e OECD-së.

Anketa vë në dukje se, normat e larta të emigrimit mund të çojnë në mungesë të aftësive dhe në shtrembërime të tregut të punës në Ballkan. Nivele të larta emigracioni mund të rezultojë në një humbje të investimeve në kapitalin njerëzor dhe të pengojë rritjen e produktivitetit.

Arsyet pse largohen dhe degët që duan:

Maturantët që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, në krahasim me ata që dëshirojnë të studiojnë në Shqipëri, preferojnë më shumë ‘shkencat kompjuterike, informatikë dhe elektronikë’, ‘inxhinieri dhe ndërtim’ dhe ‘shkencat natyrore’ (biologji, fizikë, matematikë). Kjo preferencë, krahas prirjeve individuale, lidhet edhe me kërkesat e tregut të punës në vendin e dëshiruar të migrimit dhe pasqyron mundësitë e punësimit. Studiuesit pyetën maturantët lidhur me arsyet pse duan të studiojnë jashtë vendit.

Tri arsyet kryesore janë dëshira për një karrierë ndërkombëtare (24.6%), sigurimi i një pune dhe page më të mirë në rast se rikthehen në Shqipëri (20.4%) dhe cilësia e ulët e universiteteve shqiptare (17.7%). Andra, e cila dëshiron të studiojë në Turqi, shprehet: “Mënyra e mësimdhënies, atje ku unë do të shkoj, në Turqi, ka një diferencë të madhe me atë që është në Shqipëri. Kjo është arsyeja kryesore: cilësia e mësimdhënies.”

Vendet me të preferuara, Gjermania dhe SHBA

Vendet kryesore ku maturantët shqiptarë dëshirojnë të studiojnë, të renditura sipas rëndësisë, janë Gjermania 31.1%, SHBA 13.8%, Italia 11.4%, Mbretëria e Bashkuar 10.4%, Franca 7.7%, Zvicra 3.7%, Turqia 2.9%, Greqia 2.7%, Holanda 2.1% dhe Austria 2.1%.

Thuajse të gjitha vendet ku dëshirojnë të studiojnë të rinjtë shqiptarë janë shumë të zhvilluara nga pikëpamja ekonomike dhe sociale. Por përzgjedhja e vendit të studimit, sipas rezultateve të anketës, kushtëzohet nga një kombinim i disa faktorëve, si cilësia e arsimit (38%), mundësia për të gjetur punë në përfundim të studimeve (29%), njohja e gjuhës së vendit pritës (18%), kosto e studimeve universitare (7.4%) dhe ekzistenca e rrjeteve sociale dhe familjare.

Studiuesit i pyetën studentët shqiptarë edhe për vendin e preferuar të emigrimit për punë dhe/ose studime të mëtejshme. Dhjetë vendet e para të emigrimit potencial të studentëve janë: Gjermania 25.5%, SHBA 18%, Britania 15% etj. Pjesa më e madhe e studentëve synon të emigrojë në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore dhe vetëm ¼ e tyre në vende të largëta (si në SHBA, Kanada, Australi), ku ka mundësi punësimi dhe të ardhura të larta.
Studimi tregon se nuk ka përputhje midis vendit të dëshiruar të studimit nga maturantët dhe atij të emigrimit nga studentët.

Kështu, Turqia dhe Greqia janë vende të dëshiruara studimi, për shkak të kostos së ulët, Turqia, dhe afërsisë gjeografike, Greqia, por jo emigrimi. Franca, Holanda dhe Austria preferohen për cilësinë e lartë të universiteteve, por është më i vështirë punësimi (dhe rrjedhimisht emigrimi). SHBA-ja, Britania, deri diku Kanadaja, preferohen si vende studimi, por dëshira për emigrim, për shkak të mundësive të punësimit dhe të ardhurave të larta është më e madhe. Vendet tradicionale të emigrimit shqiptar, si Greqia (dhe deri në njëfarë mase Italia), pas krizës ekonomike globale, po e humbasin rëndësinë e tyre.

Rrjedhimisht, një hartë e re e emigrimit shqiptar është duke u skicuar. Studentët kanë pohuar se përzgjedhja e vendeve përcaktohet kryesisht nga faktorë ekonomiko-socialë, dhe arsimorë, të tilla si mundësia e punësimit dhe e të ardhurave të larta, 35.6%, mundësi më të mira arsimimi dhe kualifikimi (19.9%), shërbime të mira shëndetësore (10.2%) dhe mbrojtje sociale (9.1%), njohja e gjuhës (5.7%) dhe ekzistenca e rrjeteve sociale (5.3%) dhe familjare.

Studentët shqiptarë jashtë, 95% nuk duan të kthehen

Studiuesit Gëdeshi dhe King, në anketën e fundit të zhvilluar me studentët jashtë vendit, gjetën se gati 95% e tyre planifikojnë të qëndrojnë në vendet e studimeve pas përfundimit të shkollës.

Ne i pyetëm studentët shqiptarë nëse i shikojnë studimet e tyre jashtë vendit, si një hap të parë për të jetuar jashtë vendit. Sipas anketës 69.9% thonë ‘Po’, 25% thonë ‘Ndoshta’ dhe vetëm 5.1% thonë ‘Jo’” – shprehen ata.
Por planet për të ardhmen nuk janë aq pesimiste.

Planet e ardhshme të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, lidhur me kthimin në vendlindje, tregojnë se kemi të bëjmë me një “Brain Drain” të mundshëm. 50.5% e studentëve thonë se nuk synojnë të kthehen në Shqipëri në të ardhmen, 30.1% se do të kthehen pas një periudhe pune jashtë vendit, 12.8% kanë plane të tjera dhe 1.2% se do të kthehen për të studiuar pas një periudhe pune jashtë vendit.

Vetëm 4.6% thonë se do të kthehen për të punuar në vendlindje dhe 0.8% se do të kthehen për studime të mëtejshme. Ekspertët, pasi kanë mbledhur të dhënat sasiore, kanë vërejtur se 94.6% e studentëve shqiptarë që studiojnë në vendet e zhvilluara të OECD-së synojnë të mos kthehen në Shqipëri në të ardhmen e afërt. Ky fenomen do të ketë pasoja socio-ekonomike afatgjata në Shqipëri, pohojnë ata.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X