Rezultatet e dobëta të nxënësve në vlerësimin ndërkombëtar të PISA të publikuara në fillim të dhjetorit kanë detyruar Ministrinë e Arsimit të marrë masa konkrete për përmirësimin e situatës së arsimit në vend. Teksa mori pjesë në prezantimin e rezultateve të maturës shtetërore 2023, Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se për këtë qëllim është hartuar një plan konkret.
“Ky plan synon të fillojë zbatimin e menjëhershëm nga ky muaj, me hapa konkretë që bëjnë bashkë të gjithë aktorët në fushën e arsimit”.
Dy janë drejtimet kryesore ku do të fokusohet puna e institucioneve arsimore: “E para, modernizimi i kornizës kurrikulare. E dyta është programi kombëtar për zhvillimin profesional të mësuesve. Janë 4000 mësuesit të shkencave, gjuhës dhe TIK, të cilët do trajnohen përgjatë vitit 2024 në metodat efektive të mësimdhënies”
Manastirliu theksoi se për herë të parë këtë vit do të ketë një vlerësim edhe për mësuesit.
“Ky vit ka edhe një tjetër sfidë që është përfshirja për herë të parë në sondazhin ndërkombëtar Talis 2024, sondazhi ndërkombëtar për mësimdhënien”.
Në prezantimit të arritjeve të Maturës Shtetërore 2023 rezultoi se shkalla e kalueshmërisë arriti në 99.02% nga 98.71% që ishte një vit më parë. Rezultati më i lartë u arrit në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa rezultati më i ulët ishte në Matematikë.
Leave feedback about this