Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë projektbuxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë që janë këtë vit (shiko tabelën bashkëngjitur).
Shkurtime të mëdha ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë nga 10 miliardë lekë këtë vit me një ulje 28% ose rreth 25 milionë euro.
Kjo ulje është një goditje e madhe, në një kohë që edhe Bashkimi i Europian ka bllokuar fondet nga skema IPARD për shkak të aferave korruptive që ka gjetur me ndarjen e fondeve në vendin tonë.
Në të kundërt fondet për planifikimin dhe menaxhimin janë rritur me 22 % dhe ato për sigurinë ushqimore me 36 %.
Në një kohë që qeveria ka ulur financimin për bujqësinë pret që sektori të ketë rritje me 2.8 për qind dhe punësimi të rritet me tej gjatë dy viteve në vijim.
Fshati është zbrazur nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme, Ministria e Bujqësisë pret të rrisë numrin e të punësuarve në këtë sektor 568 000 të punësuar në vitin 2026, nga 565,954. Shumica e të punësuarve në sektor janë pa pagë pasi vetën 80 mijë fermerë në të gjithë vendin paguajnë sigurime.
Shqipëria financoi mesatarisht më 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021. Sipas një krahasimi të Bankës Botërore, ky është niveli më i ulët në Rajon dhe në BE (shiko grafikun bashkëngjitur).
Në të njëjtën periudhë, vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së, ndërsa tre vende të Rajonit, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kishin norma më të larta financimi në raport të PBB-në të bujqësisë së BE.
Vetëm Shqipëria spikat si një vend në Rajon me nivel të ulët të mbështetjes bujqësore për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.
Shumica e shpenzimeve publike që jepen për bujqësinë në Ballkan përdoren për pagesa të drejtpërdrejta.
Në vende të tilla si Bosnjë-Hercegovinë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pesha e pagesave direkte për fermat arrin në 70-80% të buxheteve të bujqësisë, shumica e të cilave është e lidhur me prodhimi blegtoral ose përdorimi e inputeve.
Vetëm në Shqipëri, më shumë se 70% e buxhetit bujqësor shkon për shpenzime operative të aparatit burokratik dhe vetëm një pjesë e vogël për mbështetje direkte te fermerët./Monitor
Leave feedback about this