Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private u rrit me 8.6% vitin e kaluar.
Ekonomi

Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private u rrit me 8.6% vitin e kaluar.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve arriti në 36 518. Gjatë vitit 2022, fondeve private të pensioneve iu janë shtuar rreth 2900 kontribues.

Numri i anëtarëve në dekadën e fundit është rritur me pothuajse pesë herë, por kjo rritje ka ardhur mbi një bazë shumë të ulët dhe shkalla e pjesëmarrjes së punonjësve në këto fonde ngelet gjithsesi ende modeste. Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend (bazuar në Anketën e Forcave të Punës së INSTAT, tremujori III 2022). Anëtarët në fondet e pensioneve private deri tani ndahen në dy grupe kryesore: kontribues individualë dhe anëtarë të skemave profesionale të sigurimit, të ngritura nga punëdhënësit dhe që financohen pjesërisht apo plotësisht prej tyre, në formën e benefiteve për punonjësit.

Tregu i pensioneve private vazhdoi të rritet edhe në volumin e aseteve neto. Vlera e tyre në fund të vitit 2022 arriti në 5.7 miliardë lekë ose rreth 49 milionë euro, në rritje me 24.3% krahasuar me një vit më parë. Fondet e pensioneve private ngelen segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri. Kontributet e fondeve investohen kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare. Ndryshe nga sa ndodhi me fondet e investimeve, tregu i pensioneve private nuk pati pasoja negative nga rritja e normave të interesit vitin e kaluar. Fondet e pensionit nuk i kontabilizojnë instrumentet financiare me vlerë të drejtë, por me kosto të amortizuar dhe për këtë arsye normat e kthimit nuk patën efekte negative nga rritja e yield-eve.

Tregu i pensioneve private në Shqipëri ka nisur zhvillimin e mirëfilltë afërsisht një dekadë më parë, pas hyrjes së investitorëve me përvojë nga tregu bankar dhe ai i sigurimeve. Në treg aktualisht veprojnë gjashtë fonde të pensioneve private, por dy janë të licencuara rishtaz vitin e kaluar dhe mbështetur në statistikat e AMF nuk ishin ende aktive në fund të vitit 2022.

Nga katër fondet aktive në fund të vitit të kaluar, sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 51.4% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 28.3%, Albsig Pension me 10.5% dhe Raiffeisen Pension me 9.7%.

Krahasuar me një vit më parë, fondi që ka fituar më shumë peshë tregu është Albsig Pension, me rreth 1.7 pikë përqindje më shumë, i njekur nga Sigal Pension, me 1.3 pikë përqindje.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.6% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 29.6%, Raiffeisen Pension me 21.2% dhe Albsig Pension me 5.5%. Edhe në vlerë asetesh rritjen më të madhe të pjesës së tregut e ka shënua Albsig Pension, me rreth 2.2 pikë përqindje më shumë. Një rritje të lehtë të pjesës së tregut ka arritur edhe Credins Pension, ndërsa Sigal Pension dhe Raiffeisen Pension kanë një peshë më të ulët ndaj aktiveve totale krahasuar me fundin e vitit 2021.

Këtë muaj, Kuvendi i Shqipërisë nisi shqyrtimin e projektligjit të ri për fondet private të pensioneve, që synon t’i bëjë investimet për një pension privat në pleqëri më tërheqëse dhe t’i japë shtysë rritjes së këtij tregu. Projektligji parashikon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve. Aktualisht kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Sipas projektligjit të propozuar nga AMF, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar. Ky parashikim e lidh vlerën e zbritshme nga taksat me ecurinë e pagës minimale dhe mundëson që lehtësirat fiskale të ndjekin rritjen e kësaj page. Qeveria ka paralajmëruar se këtë vit paga minimale do të rritet në 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë që është aktualisht.

Projektligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.

Projektligji i përgatitur nga AMF sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani, por ndryshimi është se në fondet e mbyllura pjesëmarrja është ligjërisht është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X