Pagesat me kartë kanë vijuar rritjen edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e pagesave më kartë për këtë tremujor arriti në 16.8 miliardë lekë, 16.7% më shumë krahasuar me tremujorin e dytë.
Për të gjithë 9-mujorin 2023, vlera totale e pagesave me kartë arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 26.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë 9-mujorit, numri total i pagesave me kartë arriti në 10.2 milionë, ndërkohë që për të gjithë vitin e kaluar numri i këtyre pagesave kishte qenë afërsisht 10.7 milionë.
Bankierët mendojnë se rritja e fortë e turizmit është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në ekonominë shqiptare. Të dhënat e INSTAT treguan se numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 29% për 9-mujorin e parë të këtij viti.
Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 18 570, në me 14.4% që nga fillimi i këtij viti.
Paralelisht, në rritje është edhe numri i kartave të pagesave. Në fund të muajit shtator, numri i kartave aktive arriti në 1.42 milionë, në rritje me 3.5% që nga fillimi i vitit. Produkti dominues ngelen kartat e debitit, që përbëjnë afërsisht 87% të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.23 milionë, në rritje 3.8% që prej fillimit të vitit 2023. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve. Rritja e numrit të kartave të debitit është sidomos një tregues i rritjes së depërtimit të produkteve dhe shërbimeve bankare në shoqëri. Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, afërsisht 70% e shqiptarëve kanë tashmë një llogari bankare.
Ndërkohë, zhvillime pozitive këtë vit po regjistrohen në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të 9-mujorit, numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar arriti në më shumë se 118 mijë, me një rritje prej 5.4% që nga fillimi i vitit. Ecuria e kartave të kreditit këtë vit po shfaq për herë të parë sinjale rritje të mirëfilltë qysh pas pandemisë. Kartat e kreditit janë një produkt kryesisht i konceptuar për pagesa jo cash, ndaj ecuria e tyre mund të jetë një indikator më domethënës për të treguar orientimin e publikut shqiptar drejt pagesave me kartë.
Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal. /Monitor
Leave feedback about this