Pensionistët me lajme të reja / Tani do kenë ndryshime edhe në procesin e marrjes së pensionit
Aktualitet

 Pensionistët me lajme të reja / Tani do kenë ndryshime edhe në procesin e marrjes së pensionit

Pensionistët duket se do të gëzohen sërish nga qeveria. Pasi vendosi t’iu indeksojë pensionet dhe premtoi bonusin e fundvitit, një projektligji për llogaritë bazike, i cili ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë është depozituar për diskutim në Komisionet Parlamentare dhe parashikon përfitime për kategoritë në nevojë, përfshirë këtu edhe pensionistët.

Referuar draftit, bankat do të ofrojnë të gjitha shërbimet me tarifë zero, pavarësisht nga numri i veprimeve të kryera në llogarinë e pagesave me shërbime bazike, për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve që përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale, sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë si dhe për pensionistët.

Kush përfiton? Por sa pensionistë përfitojnë nga ky projektligj? Sipas të dhënave të siguruara nga SCAN TV, aktualisht janë 73.950 pensionistë që marrin pensionin përmes bankave dhe 666.300 e marrin në postë. Pra e thënë ndryshe, aktualisht 10 për qind e pensionistëve marrin pensionin përmes bankave tregtare, kategori e cila do të përfitojë shërbime me zero komision, duke filluar nga komisioni i mirëmbajtjes së llogarisë i cili është mesatarisht 150 lekë në muaj apo 1800 mijë lekë në vit. Vetëm nga komisioni i mirëmbajtjes së llogarisë, kategorisë së pensionistëve do t’u kursehet në total një shumë prej 133 milionë lekësh në vit. Në projektligjin e ri për llogaritë bazike, ku përcaktohen kategoritë që përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero, parashikohet edhe opsioni i transferimit të llogarisë, nga llogari normale në llogari bankare bazike.

Ndërkohë më tarifë zero do të jenë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte; transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line; transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line. Sipas draftit zgjerimi i mundësisë për aksesin në llogaritë e transaksioneve është një kusht i domosdoshëm për të arritur objektivin kryesor, duke synuar të arrijë një raport të zotërimit të llogarisë në nivelin 70% deri në vitin 2023.

Zbardhet fatura e plotë e rindërtimit nga tërmeti Nga ana tjëtër, Buxheti i Shtetit ka përballuar një kosto të lartë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, e cila mesa duket do të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke iu ardhur në ndihmë qytetarëve e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Gjatë prezantimit të aktit normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2023 në Komisionin e Ekonomisë, Ministri i Financave, Ervin Mete theksoi se për procesin e rindërtimit u shtuan 12 miliardë lekë sepse synohet që të përmbyllet sa më shpejt, ndërsa ka zbardhur faturën totale të këtij programi.

Por deputetë të opozitës janë shprehur se fondet janë shpërdoruar. Ministri Mete u pyet dhe për masat që ka marrë qeveria sa i takon kompensimit të rritjes së çmimeve për kategoritë në nevojë. Ministri i Financave theksoi se akti normativ projekton rritje të të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2023 pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit. Sipas tij, fakti që 12 miliardë të parashikuara si mbështetje për sektorin energjetik dhe që nuk u përdorën kanë bërë të mundur rialokimin e këtyre fondeve ku ka më shumë nevojë. Akti u miratua në komision, për të kaluar më pas në seancë plenare

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X