“Portat e Hapura”, “Qyteti i vjetër” i munguar i Tiranës
Aktualitet

“Portat e Hapura”, “Qyteti i vjetër” i munguar i Tiranës

Tirana ka shumë restorante, bare, muze dhe monumente për t’u vizituar, por ajo që i mungon këtij kryeqyteti europian është një “qytezë e vjetër”.

Urbanizimi i vrullshëm i kryeqytetit vitet e fundit ka sjellë humbjen e identitetit të vjetër të Tiranës që çdo vit e më shumë po vizitohet nga mijëra turistë në ditë.

Për të menaxhuar këtë sfidë, është e rëndësishme që autoritetet vendore, komuniteti i artistëve dhe arkitektëve, si dhe qytetarët të bashkëpunojnë për të ruajtur dhe për të promovuar trashëgiminë kulturore të qytetit dhe të kujdesen njëkohësisht për një zhvillim urban të qëndrueshëm.

Këtë gjë po bën edhe familja Begeja dhe disa familje të tjera në Rrugën e Dibrës në Tiranë.

“Old Town” ose “Qyteti i Vjetër” është një destinacion turistik i zakonshëm në shumë qytete të mëdha të botës.

Këto zona të qyteteve përbëjnë trashëgiminë historike dhe kulturore të qytetit dhe njihen njohura për arkitekturën tradicionale, rrugët e ngushta dhe atmosferën autentike.

Ky është pikërisht projekti “Portat e hapura”. Duke biseduar me fqinjët teksa pinin kafenë e mëngjesit, dhjetëra familje vendosën të ruajnë disa nga godinat e vjetra, shtëpitë e të parëve të tyre në zonën e Selvisë.

Ata vendosën që ta kthejnë atë në një lagje historike, e cila të vizitohet nga të gjithë dhe të ofrojnë shërbime të ndryshme si kafene, restorante hotele etj., duke mbrojtur dhe duke paraqitur godinat e tyre të vjetra.

“Jemi 15-20 familje, këtu janë nëntë vila dhe duam t’i restaurojmë, të ruhet çfarë na është dhënë, mundi i familjeve tona.

Këtu është bërë histori, të mos bëhen kulla, por të restaurohen” – thotë Xhimi Begeja, mjeshtri i madh i sportit të alpinizmit, pjesëtar i një prej familjeve më të vjetra të Tiranës.

Një pjesë që nuk mund të restaurohen, për shkak të degradimit, do të rindërtohen në harmoni me stilin e dikurshëm. Vila Begeja është restauruar në 4-5 vitet e fundit, por është ndërtuar në vitin 1787.

Banesa ende ruan karakteristikat e saj me mure me qerpiç, të gjera një metër dhe pa praninë e kolonave në përbërje, të ruajtura me fanatizëm edhe gjatë rikonstruksioneve.

“Kjo shtëpia tjetër është ndërtuar rreth 150 vjet më vonë. Më 1927. Ishte shtëpia e luleve, ka pasur lule kacavjerrëse dhe shtëpia ishte e veshur me to.

Kjo shtëpi gjatë komunizmit është përdorur si vend torturash prandaj më vonë mori emrin shtëpia e torturave”, shprehet Xhimi, me shumë pasion për ndërtesat.

“Si këto shtëpi janë edhe të tjerat, ne duam t’i ruajmë, t’i japim jetë kësaj lagje, Tiranës i mungon një qytezë e vjetër, dhe pse të mos bëhet këtu ku tashmë janë bazat”.

Elementi kryesor është që lagjja do të jetë me rrugica të hapura, me labirinthe, njerëzit të jenë bashkë, nuk do të ketë porta, nuk do të ketë mur dhe as gardhe.

Një zonë me porta të hapura, ku çdokush do jetë i mirëpritur për ta vizituar dhe për të përjetuar traditën e vjetër tironse.

Xhimi Begeja shprehet se ky projekt do të jetë hapi i parë për të ndryshuar konceptin e qytetit urban, i cili është zhvilluar mbi historinë dhe kulturën.

Kjo lagje do jetë në fokus kryesisht nga turistët që përtej bukurisë natyrore të vendit kërkojnë edhe historinë e tij. Z. Begeja shprehet që lagjja do jetë në fokus më shumë nga turistët sesa vendasit.

‘Një turist nuk vjen për të shkuar në qendër tregtare, apo të shohë pallatet e larta që po na vijnë te dera. Ai do të shohë diçka që nuk e gjen në vendin e tij, ose në vendet e tjera”, – përfundon ai teksa kujton me nostalgji si dikur vendi gumëzhinte, rrugicat dhe oborret e shtëpive gjelbëronin dhe qyteti kishte një identitet të tijin.

Këto zona janë tërheqëse për turistët, për shkak të bukurisë së tyre arkitekturore, atmosferës autentike dhe vlerës kulturore të pasur. Ata ofrojnë një shëtitje në kohë dhe janë një mënyrë e mrekullueshme për të njohur historinë dhe kulturën e një qyteti.

Filozofia e pasardhësve të familjes Begeja për të ruajtur historinë dhe trashëgiminë ka bërë të mundur ruajtjen e këtij ansambli godinash, si dhe të një komuniteti që rrallë mund të ekzistojë në një pallat shumëkatësh.

Si po humb identiteti i kryeqytetit

Ndërkohë që banorët po përpiqen të ruajnë “historinë e tyre” urbanizimi i qytetit po gllabëron çdo hapësirë të Tiranës.

Ndërtimet e reja shpeshherë nuk respektojnë arkitekturën dhe karakterin tradicional të banesave të vjetra, duke shkaktuar humbje të vlerës kulturore.

“Ndër ndikimet kryesore të urbanizimit të shpejtë është edhe humbja e trashëgimisë kulturore dhe mungesa e respektit ndaj objekteve të vjetra dhe historike” – shprehet Dorina Musai, arkitekte dhe pedagoge në Universitetin Polis.

Kjo është një arsye pse ky është një projekt i mirë për t’u drejtuar nga e kaluara, ta ruajmë si traditë, si identitet të Tiranës së vjetër që bashkëjeton më së miri me të renë.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X