“Rënia” e biznesit të shëndetit
Aktualitet

“Rënia” e biznesit të shëndetit

Pas dy viteve të vështirë, kur pandemia rëndoi dukshëm shëndetin e popullatës, duke rritur vdekshmërinë shtesë, në vitin 2022, situata ishte më e qetë.

Në vitin 2022, vdekjet ranë me 21.3%, në raport me vitin e mëparshëm, kur kulmuan në 30.5 mijë për shkak të pasojave të pandemisë, por gjithsesi ato mbetën 7% më të larta sesa mesatarja e 2016-2019, kur kishte një situatë normale.

Niveli më i lartë se mesatarja u ndikua nga vala e tremujorit të parë 2022, ndërsa në tre tremujorët në vijim, situata iu rikthye normalitetit.

Nga ana tjetër, virusi la pasoja afatgjatë në shëndetin e shumë të prekurve, sidomos atyre kronikë.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

Rënia e vdekshmërisë dhe përfundimi i ciklit të virusit ka ulur ndjeshëm aktivitetin e spitaleve private dhe sidomos të klinikave mjekësore, që panë rritje të fortë nga analizat.

Në të kundërt, pasojat afatgjata të COVID dhe plakja graduale e popullsisë po mbajnë të lartë konsumin e medikamenteve.

Burimi: INSTAT

Mbaron cikli i rritjes së spitaleve private?!

Për herë të parë që nga fillimi i funksionimit të tyre, spitalet e mëdha private raportuan rënie të të ardhurave.

Tendenca lidhet me nivelin e lartë që arritën në vitin 2021, kur si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private.

Paaftësia paguese e popullatës është një tjetër arsye që japin spitalet për tkurrjen e aktivitetit të tyre.

“Spitali Amerikan” (American Hospital) është më i madhi në vend. Në vitin 2022 qarkulloi 5.5 miliardë lekë, me tkurrje 23% me bazë vjetore, pas rritjes së ndjeshme prej 21% në vitin 2021, kur ishte kulmi i pandemisë. Spitali i thelloi humbjet në 334 milionë lekë, tre herë më shumë se viti i mëparshëm. Në vitin 2022 janë kryer mbi 9 mijë ndërhyrje kirurgjikale, 3 mijë trajtime mjekësore, 84 mijë numër seancash dialize.

Në raportin e aktivitetit, “Spitali Amerikan” pohon se “viti 2022 ka vazhduar të jetë i vështirë, për shkak edhe të situatës ekonomike në vend dhe rënies së fuqisë blerëse të familjeve”.

“International Hospital” (ish-Hygeia), po pjesë e grupit të “Spitalit Amerikan”, raportoi 2.8 miliardë lekë të ardhura, me tkurrje vjetore prej 10.4%.

Dy vitet e fundit, spitali ka reduktuar ndjeshëm humbjet, që ishin shumë të larta përpara se të shitej te “Spitali Amerikan”.

Spitalet e tjera nuk renditen në listën e 200 më të mëdhave.

Të dhënat zyrtare të bilanceve të pesë spitaleve private, “American Hospital”, “International Hospital” (ish-Hygeia), “Salus”, “German Hospital International”, “Spitali Europian”, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 10 miliardë lekë, me një tkurrje prej 18.3% në krahasim me vitin 2021, kur u shënua dhe niveli rekord.

Ndërsa në raport me 2020-n, të ardhurat totale janë rreth 2% më të larta. Ky është ritmi më i ulët i rritjes së tregut të spitaleve private që kur filluan aktivitetin.

Në vitin 2021, rritja e të ardhurave ishte 25.5%, më e larta e regjistruar vitet e fundit. Në 2020-n, kur pandemia u forcua në muajt e fundit të vitit, zgjerimi vjetor i të ardhurave ishte 10.7%.

Spitali “Salus” raportoi 641 milionë lekë të ardhura, me rënie 7%.

“German Hospital International” kishte xhiro prej 531 milionë lekësh, me rënie 19%.

“Spitali Europian” ishte i vetmi që vijoi rritjen, me 8.6%, në 440 milionë lekë, pas dyfishimit vitin e mëparshëm.

Me përjashtim të “Salus”, që kishte fitim minimal, të gjithë spitalet vijojnë të deklarojnë humbje.

Burimi: QKB, përpunime të Monitor

Përgjysmohet aktiviteti i laboratorëve

Në vitet 2020-2021, zgjerimi i aktivitetit dhe fitimeve të laboratorëve mjekësorë ishte i fortë, pas shpenzimeve të larta për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes.

Në vitin 2021, rritja u ndikua jo vetëm nga kryerja e analizave për identifikimin e sëmundjes e më pas kurimin e saj, por dhe kushtit të pothuajse gjithë shteteve që nuk lejonin hyrjen në kufijtë e tyre të personave që nuk kishin kryer tampon, apo test të shpejtë.

Në vitin 2022, me situatën shëndetësore që iu rikthye normalitetit pas tremujorit të parë dhe heqjen e kushtit për të udhëtuar, aktiviteti i laboratorëve ra ndjeshëm, po ashtu dhe fitimet e tyre.

Pasi hynë në listën e “Monitor 200”, sipas të ardhurave në vitin 2021, qëndrimi i tyre ishte shumë jetëshkurtër, duke dalë sërish në vitin 2022.

“Intermedica Center” përgjysmoi të ardhurat në 930 milionë lekë.

“Genius lab”, pasi katërfishoi të ardhurat në vitin 2021, në 2 miliardë lekë, shënoi rënie të të ardhurave me 61% një vit më pas.

Laboratorë të tjerë si “Biocheck”, “Pegasus Med”, “Noval Diagnostic”, “Swiss Medical Center”, shumëfishuan aktivitetin, në vitin 2021, ndonëse nga një bazë e ulët. Në vitin 2022, vetëm “Noval Diagnostic”, vijoi rritjen e lehtë, me 8%.

Në total, qarkullimi vjetor i laboratorëve kryesorë ishte 2.1 miliardë lekë në vitin 2022, me një tkurrje prej 53% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Vetëm “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, me aktivitet në prodhimin, shitjen dhe tregtimin e gazrave teknike, terapeutike, ka ruajtur të ardhura të larta prej 2 miliardë lekësh, pas zgjerimit të fortë në periudhën e pandemisë (e nxitur nga kërkesa për oksigjen në spitale COVID-19 dhe përdorimi i bombolave nga të sëmurët që u vetëkuruan në shtëpi).

Në vitin 2022, të ardhurat e kompanisë u rritën lehtë me 2%.

Burimi: QKB, përpunime të Monitor

Farmaceutika, me rritje më të ngadaltë

Pasi arritën rekordin e 31.6 miliardë lekëve në vitin 2021, importet e medikamenteve u reduktuan me 10% në vitin 2022.

Por, ky reduktim erdhi më të shumti nga ulja e importeve të vaksinave, që u përdorën për të vaksinuar masivisht popullatën në vitin 2021.

Barra e sëmundjeve vijon të mbetet e lartë, e ndikuar nga pasojat afatgjata që dha COVID dhe plakja graduale e popullsisë.

Burimi: INSTAT

Dëshmi e kësaj është vijimi i rritjes së indeksit të vlerës së produkteve farmaceutike e mjekësore, sipas të dhënave të INSTAT.

Disa operatorë të tregtimit me shumicë të produkteve farmaceutike kanë raportuar rritje në vitin 2022, të tjerë kanë shënuar tkurrje.

“Rejsi Farma” raportoi të ardhura prej rreth 4.6 miliardë lekësh, me rritje rreth 11.7%, ndër më të lartat në treg.

Delta Pharma” u zgjerua me 2.8%, në 4.5 miliardë lekë.

“Pharma One” kishte të ardhura rreth 2.6 miliardë lekë, sipas vlerësimeve të përafërta nga Tatimet (kompania nuk e ka deklaruar bilancin e vitit 2022).

“Intermed” raportoi një xhiro vjetore prej 3.3 miliardë lekësh, sipas vlerësimeve të përafërta nga të dhënat e Tatimeve. Bilanci i vitit 2022 nuk është dorëzuar ende.

Me rritje 3%, në 2.5 miliardë lekë, rezultoi “Megapharma”.

Burimi: QKB, përpunime të Monitor

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X