Qeveria Shqiptare ka dhënë dritën jeshile për rikthimin në detyrë të ushtarakëve në rezervë, duke i hapur rrugën forcimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar dhe me përvojë. Vendimi, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, synon të përballojë nevojat gjithnjë në rritje të sigurisë kombëtare.
Sipas vendimit të ri, ish-oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe detarë do të kenë mundësinë të rikthehen në shërbimin aktiv nëse strukturat ushtarake kërkojnë specialitetin apo përvojën e tyre të mëparshme. Thirrjet për pozicione të hapura do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa aplikimi do të kryhet online përmes portalit e-Albania.
Pas aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit përkatës, kandidatët do t’i nënshtrohen një vlerësimi profesional dhe kontrollit të sigurisë. Ata që përzgjidhen do të marrin statusin e ushtarakut aktiv dhe do të emërohen në detyra sipas gradës që mbanin në momentin e kalimit në rezervë. Gjatë periudhës së kontratës, nuk parashikohet avancim në gradë.
Në rastet e mobilizimeve të pjesshme ose të përgjithshme, kthimi në detyrë mund të realizohet edhe pa aplikim formal, vetëm me njoftim zyrtar nga institucionet ushtarake.
Ky zhvillim përputhet me modelet e vendeve anëtare të NATO-s dhe përbën një mundësi të re për ushtarakët shqiptarë të japin sërish kontributin e tyre në mbrojtje të atdheut.
Leave feedback about this