Pothuajse 30 mijë emigrantë arritën ilegalisht në brigjet angleze në vitin 2023 duke kaluar kanalin e La Manshit me varka të improvizuara. Sipas mediave kjo përbën një shifër shumë më të ulët se ajo e vitit 2022, ku kalimi i emigrantëve ilegalë arriti nivel rekord.
Emigracioni është një nga çështjet kryesore në fushatën zgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare të vendit në 2024. Kryeministri Rishi Sunak ka premtuar të ndalojë emigrantët e palgijshëm që mbërrijnë në Angli.
Në vitin 2023, 29,437 migrantë mbërritën në Britani, krahasuar me 45,774 në vitin 2022, sipas shifrave të Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, ky numër i vitit 2023 mbetet i dyti më i lartë i regjistruar ndonjëherë, më i lartë se ai i vitit 2021 (28,526).
Rreth 20% e emigrantëve që mbërrinin në vitin 2023 vinin nga Afganistani, sipas shifrave të ministrisë britanike të përpiluara deri më 29 nëntor. Më pas janë shtetasit iranianë, rreth 12% e totalit, pastaj turqit (11%), shtetasit eritreas (9%) dhe irakianë (9%).
Nga ana tjetër, numri i shqiptarëve, të cilët ishin në mesin e shumicës së emigrantëve që kaluan Kanalin në vitin 2022 (12,658), ra me më shumë se 90%. Londra dhe Tirana kanë arritur një marrëveshje për të parandaluar kalimin ilegal të shqiptarëve në Britaninë e Madhe.
Leave feedback about this