Prej të hënës së fillim-tetorit në të gjithë vendin ka nisur shpërndarja e pensioneve me rritjen e premtuar prej 8.6%.
Në Shkodër janë rreth 50 mijë pensionistë të cilët do të përfitojnë nga kjo rritje.
Nëse do të bënim një llogari, një pensionist që merr 15 mijë lekë në muaj, do të përfitonte rritje prej 1290 lekësh.
Por sa u vjen në ndihmë një rritje e tillë qytetarëve, duke marrë parasysh edhe rritjen galopante të çmimeve.
Euronews Albania pyeti disa prej pensionistëve në Shkodër. Rritja konsiderohet nga masa si shumë e ulët dhe se nuk është në proporcion me rritjen e çmimeve.
“Mizerje, mizerje! Ishalla bën Zoti mirë se njerëzit jo. Kemi menduar se për 20 vjet bëhet ky vend. Ky as për 60 vjet nuk bëhet”, thotë një grua.
Referuar çmimeve në treg, kryesisht për produktet bazë, pensionistët e konsiderojnë të papërfillshme rritjen.
“Në krahasim me çmimet shumë pak është. Pensioni im është rritur 15 mijë lekë. I mjaftueshëm? S’ka si të jetë i mjaftueshëm, vetëm ilaçe sa marrim”, shprehet një pensionist.
Pensioni minimal kap vlerën e 10 mijë lekëve, ndërsa ai maksimal deri në 40 mijë lekë. Në qytetin e Shkodrës janë afro 50 mijë persona që përfitojnë nga kjo rritje.
Pensionistët, pavarësisht kësaj rritjeje, vijojnë të vuajnë më së tepërmi rritjen e çmimeve për shkak të nivelit shumë të ulët të të ardhurave.
Leave feedback about this