Skuterat, ky mjet i thjeshtë dhe i shpejtë për të mbërritur në destinacion është kthyer në rrezik për personat që i përdorin, këmbësorët, por dhe drejtuesit e automjeteve.
Aksidentet nga përdorimi i tyre vitin e fundit janë dyfishuar. Në Tiranë, pavarësisht se bashkia ka hequr pjesë nga shumë rrugë për ta, korsitë e dedikuara nuk respektohen. Policia thotë se kjo është një nga shkeljet më të shpeshta, por jo e vetmja.
“Kemi hasur goxha probleme me monopatinat dhe skuterat elektrik pasi herë pas here përdorin vendet jo të përcaktuara për drejtimin e monopatinës. Nuk përdorin korsinë e dedikuar që është enkas për ta dhe çiklistët, por kalojnë në karrexhatë në akse të ndryshme rrugore, futen në mes automjetesh dhe bëhen burim potencial rreziku për aksidentet rrugore. Herë pas herë nuk respektojnë semaforin apo këmbësorët.”, tha Arben Bakalli, komandant i trafikut.
Pothuajse çdo ditë të aksidentuar me skuter apo monopatinë paraqiten në Spitalin e Traumës. Nëse vitin e shkuar kërkuan ndihmën e mjekëve 214 persona, këtë vit numri i tyre deri tani ka shkuar në 554. Traumat sipas mjekëve janë me pasoja afatgjata e invalidizuese kryesisht tek adoleshentë dhe të rinj.
“Ka thyerje të kockave në anësitë e sipërme apo të poshtme, ka trauma të kokës, nga të lehta e deri tek trauma të rënda, me hemorragji apo dëmtime të trurit që janë edhe fatale. Ka edhe trauma të regjionit të gjoksit apo barkut. Janë trauma të rëndësishme dhe të rrezikshme për jetën. Çdo vit traumat po shumëfishohen, po ecin me trend frikshëm rritës, nga vjet sivjet pothuajse është dyfishuar numri i traumave nga këto skutera. Moshat janë nga 15 vjeç 25 – 30 vjeç.”, u shpreh Erjon Qato, shef i shërbimit të ortopedisë në spitalin e Traumës.
Mjete të tilla sipas policisë përdoren dhe nën 16 vjeç ndërsa kaskat mbrojtëse thuajse nuk mbahen. Në këto kushte apeli I bluzave të bardha dhe uniformave blu është I njëjtë.
“Të jetën të kujdesshëm me shpejtësinë, të respektojnë masat mbrojtëse, rregullat e qarkullimit“, shtoi Qato.
“Ka raste dhe nën 16 vjeç, apeli jonë është të jenë mbi 16 vjeç sepse kanë orientim më të duhur për infrastrukturën. Të përdorin kaskat mbrojtëse dhe gjunjëzat për të qenë sa ma të sigurtë për veten e tyre. “, theksoi Bakalli.
Europa ka rregulla të qarta për skuterat elektrikë. Parisi një vit me parë i hoqi nga qarkullimi ndërsa në Shqipëri përdorimi I tyre është shtuar dhe gjoba prej 1 mijë lekësh duket se nuk ka ndërgjegjësuar drejtuesit e tyre të paktën për të respektuar korsitë e dedikuara.
Leave feedback about this