Edukimi është ai proces njohje dhe të mësuari, që fëmija e realizon vetë nëpërmjet modeleve që mjedisi i ofron. Komunikimi i të rriturve ndërmjet tyre dhe sjellja konstante e të rriturit me fëmijën, pavarësisht situatës apo ngarkesave emocionale, janë baza ku ndërtohet edukimi.
Pjesa tjetër, është e gjitha punë e fëmijës. Edukimi nuk realizohet me urdhra dhe komanda nga të rriturit.
Edukimi është ai proces, që nis në fillimet e jetës kur njeriu vjen në këtë botë dhe merr udhë eksplorimi i vetes dhe njerëzores. Ai ashtu i vogël, i pafuqishëm, por me energji të kondesuara, punon pa pushim, për tu bërë i pavarur dhe për të mësuar fjalën.
Fëmija, ia ngul sytë të rriturit tek goja dhe vështron mimikën, lëvizjet dhe xhestikulacionet e tij. Ai lëviz pafundë, muskujt e fytyrës, të gjuhës, të qafës, të këmbëve, të duarve, ashtu siç bënë i rrituri, që ecën, që flet, që lëviz. Deri këtu gjithçka është në dorën e fëmijës, pasi të rriturit mendojnë, që ai nuk kupton gjë, të paktën në vendin tonë.
Kur ai fillon të fusi duart në gojë, të rriturit mundohen ta pengojnë, pa i shkuar në mëndje se ai veprim është një hallkë në proçesin e gjatë të njohjes.
Më pas, kur fillon të ecë, nga frika e rrëzimit, e pengojnë të eksperimentojë të plot këtë proces. Procesi i rritjes i ofron të dyja anët, kënaqesinë dhe frikën. Fëmija mëson dhe shijon kënaqësin e të lëvizurit vetë, por edhe rrëzimi që e tremb, mund të kthehet në eksperiencë të shëndetëshme, nëse të rriturit do të kontrollojnë ankthin dhe padurimin e tyre.
Ata duhet të qëndrojnë konstant duke inkurajuar me zë të qetë dhe duke zgjedhur fjalët. Komandat sipas ngarkesës emocionale të të rriturve nuk janë suport, përkundrazi pengojnë edukimin dhe shtojnë konfuzionin e fëmijës.
Edukimi është ajo formë të mësuari, që rrënjoset në pavetëdije dhe mundëson kryerjen e veprimit pa patur nevoj të mendohet, si përshembull fjalët e mirësjelljes, mënyra e të ngrënit, tonaliteti i zërit, mënyra e të sjellurit në ambjente jashtë familjes apo me persona të panjohur.
Në praktikën tonë, etika e komunikimit i rritur- i parritur është e mangët. Ajo zhvillohet më shumë në baze frikës, etiketimit dhe kërcënimit dhe jo nëpërmjetë respektit, durimit dhe përgjegjësisë së të rriturit. Sjellja është pasojë, e mësuar dhe e imponuar nga i rrituri.
Fëmija sillet ashtu siç sillen të rriturit me njëri tjetrit apo siç i drejtohen të rriturit atij, fëmijës, kur janë të tensionuar ose të paduruar. Në mënyrën e edukimit tonë gabimin e gjejmë tek fëmija. I rrituri nuk i shkon në mendje që fjala e të rriturit, është e rëndë për aftësinë e brishtë gjuhësore të fëmijës. Ai, fëmija, do të dojë të veprojë siç kërkon i rrituri, por nuk e di çastin e duhur, kur duhet t’i përdorë ato që i rrituri kërkon.
I rrituri, nuk vepron në bazë të etikës që pretendon nga fëmija, Ai, i rrituri, përdor më shumë pasthirrma të tipit: ej, na, o ti, ore, etj, pra modeli është pa fjalë “magjike”.
Leave feedback about this