Ndonëse numri i turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri po prek rekorde në rritje, thuajse e njëjta ecuri regjistrohet edhe në daljen e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, ku vetëm për muajin e kaluar kjo shifër arriti në rreth 604 mijë, ose 30,6% më shumë në bazë vjetore.
Nga viti 2021 deri në vitin 2023 janë regjistruar përafërsisht 17 milionë dalje, ku rritja më e madhe është shënuar gjatë vitit të shkuar me gati 7 milionë. Arsyet kryesore të përfshijnë pushime, vizita te të afërmit, trajtime shëndetësore, biznes ose qëllime profesionale.
Nëse analizojmë tremujorin e parë në një hark kohor prej 4 vitesh, vërehet se daljet e shqiptarëve kanë pësuar një rritje të konsiderueshme. Konkretisht, në tremujorin e parë të 2024-ës, numri i daljeve të shtetasve shqiptarë është mbi 1,7 milionë duke u rritur me 25,9% krahasuar me të njëjtit muaj në 2023-in. Për këtë periudhë, nga viti 2022 në 2023 është rritur me 32.3%, ndërsa nga 2021 në 2022 numri i daljeve është rritur me 39.3%.
Të dhënat tregojnë se daljet kanë qenë më të shpeshta gjatë sezonit veror dhe në dy muajt e fundit të vitit. Shumë shqiptarë po preferojnë që pushimet e tyre t’i kalojnë jashtë vendit, ku ndër destinacionet kryesore vazhdojnë të mbeten Turqia dhe Greqia. Duke marrë parasysh edhe numrin e madh të emigrantëve jashtë vendit, nuk është e ulët shifra e atyre personave që vendosin t’i kalojnë festat e nëntorit apo ato të fundvitit me një pjesë të familjes që nuk jeton në Shqipëri.
Leave feedback about this