Të punësuarit me sigurime, rritje vjetore me 13 mijë persona në 3-mujorin e tretë
Aktualitet

Të punësuarit me sigurime, rritje vjetore me 13 mijë persona në 3-mujorin e tretë


Numri i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore arriti 737,421 në tremujorin e tretë të vitit aktual duke pësuar një rritje me 13 mijë persona ose me zgjerim 1.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT, kontribuuesit u rriten edhe në krahasim me 3-mujorin e dytë të vitit 2023. Të dhëna më të detajuara tregojnë se kontributin më të madh e dha punësimi në sektorin privat. Kontribuuesit e punësuar në privat arritën në 558,346 persona në korrik-shtator 2023, me rritje 2,9 për qind ose mbi 16 mijë persona më shumë në skemën e sigurimeve se në të njëjtin 3-mujor të 2022. Në të kundërt punësimi në shtet ka pësuar rënie gjatë periudhe referuese me mbi 3000 mijë persona ose 1.6 për qind më pak se tremujori i tretë 2022.

Të dhënat zyrtare mbi punësimin në vendin tonë gjenerohen nga dy burime. Të dhënat administrative që kanë reference të punësuarit që paguajnë sigurime dhe të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës që konsideron si të punësuar personat që kanë kryer një punë kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës kur është zhvilluar anketa. Kjo anketë zhvillohet një herë në tre muaj në rreth 8000 familje në të gjithë vendin.

Të dhënat që burojnë nga Anketa treguan se, personat e punësuar në 3-mujorin e tretë të këtij viti ishin 1,338,022, ndërsa të punësuarit me sigurime ishin 734 mijë ose vetëm 55 për qind e atyre që kanë raportuar se janë në punë. Kjo diferencë mbeti e njëjtë si një vit më parë.

Teksa ekonomia e vendit po rritet me ritme më të shpejta se dekada që lamë pas, janë duke u bërë hapa të ngadaltë në drejtim të informalitetit në tregun e punës dhe informalitetit në përgjithësi.

Forca e punës është drejt shterimit prej rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë, ndaj reduktimi i informalitetit mbetet burimi kryesor për të gjeneruar të ardhura për skemën e pensioneve në të ardhmen, të cilat janë të domosdoshme për një armatë pensionistësh në rritje.

Përkundrazi në vitin 2022, përqindja e punësimit informal në sektorin jobujqësor është 28,2%, duke shënuar një rritje me 1,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021, raportoi INSTAT në publikimin “Shqipëria në shifra 2022”.

Treguesit e punësimit janë përmirësuar vitet e fundit, por punësimi pa pagë në biznesin e familjes është zgjeruar shumë më tepër se punësimi me pagë, sidomos vitin e kaluar.

Burimet nga tregu pohojnë se informaliteti në tregun e punës u nxit nga rritja tre herë rresht brenda vitit e pagës minimale duke e çuar në 40 mijë lekë aktualisht nga 30 mijë që ishte në fillim të vitit 2022. Duke qenë se rritja e pagës minimale nuk u nxit nga produktiviteti, informaliteti në punësim u rrit sidomos në vetëpunësim për të shmangur detyrimet që lindin nga tatimi mbi të ardhurat nga pagat./MONITOR

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X