“Në Shqipëri viteve të fundit turizmi po zhvillohet vrullshëm. Por në një kohë kur nevoja për punonjës në këtë sektor po shtohet, interesi i studentëve për të shkuar në degët e hoteleri-turizmit ka ardhur në rënie.” Bursa mujore prej 30 mijë lekësh nuk e rriti numrin e studentëve. Në të gjitha universitetet publike të vendit këtë vit ka pasur 556 të regjistruar. Pedagogu Mirdaim Axhami ne nje interviste per Tv klan thotë se përveç interesit të ulët, shqetësim është fakti se një pjesë e mirë e studentëve nuk punojnë në fushën e tyre të studimit. “Ne kemi bërë një studim edhe sa i përket të diplomuarve në turizëm që nga viti 1993 kur kjo degë është hapur, ajo që vëmë re është se edhe pse janë diplomuar në turizëm, ata nuk kanë punuar në turizëm”, tha Mirdaim Axhami, shef i Departamentit të Turizmit, Fakulteti i Ekonomisë. Një pjesë e mirë e studentëve të Masterit nuk vijnë nga sistemi Bachelor i turizmit. “Shumica prej tyre e kanë master të dytë, kanë punuar gjithë kohës në turizëm dhe tashmë vijnë për të zhvilluar njohuritë e tyre”, tha Axhami. Për ekspertët e kësaj fushe, largimi masiv i të rinjve, pagat dhe sezonaliteti i lartë i industrisë dhe zhvillimi me ritme të shpejta bëjnë ky sektor të vuajë sot mungesën e fuqisë punëtore. “Pjesën tjetër të kohës ky punonjës duhet të punojë në ndërtim apo bujqësi, duhet detyrimisht të gjenden zgjidhje për të zgjatur sezonin dhe për të subvencionuar pagat siç bën rajoni, minimalisht katër muaj, për të pasur një vjetërsi pune dhe siguracion vjetor”, tha Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit. Mungesat janë më mijëra si për punonjës të kualifikuar ashtu edhe të pakualifikuar. “Që tani rezervimet me booking për periudhën e tre muajve të verës janë trefishuar, kështu që etja për fuqi punëtore do jetë e madhe edhe për këtë vit”, tha Topuzi. Sezonin e shkuar 75% e bizneseve në fushën e hoteleri turizmit kishin mungesë të fuqisë punëtore.
Aktualitet
Turizmi në rritje, po interes i ulët i të rinjve për të studiuar në turizëm.
- April 21, 2023
- 0 Comments
- 132 Views
Leave feedback about this