“Varfëri rekord, ndihma ekonomike në rënie: Shqipëria po braktis të varfërit!”
Aktualitet

“Varfëri rekord, ndihma ekonomike në rënie: Shqipëria po braktis të varfërit!”

Teksa 42% e popullsisë shqiptare jeton në rrezik të varfërisë, fondet për ndihmën ekonomike po bien në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit. Një realitet tronditës që ngre pikëpyetje të mëdha mbi prioritetet e qeverisë në një nga periudhat më sfiduese sociale të pas ’90-ës.

Të dhënat më të fundit nga Ministria e Financave zbulojnë një prirje alarmante: shpenzimet buxhetore për ndihmën ekonomike, që dikur konsideroheshin një shtyllë e stabilitetit social, janë duke u tkurrur në mënyrë të vazhdueshme. Në vitin 2024, ato zinin vetëm 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 1.6% në vitin 2014 – dhe shumë më pak krahasuar me kulmin e vitit 1995, kur ndihma ekonomike arrinte në 1.7% të PBB-së.

Kjo rënie vjen në një kohë kur kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm. Rritjet e çmimeve të ushqimeve bazë, qirave dhe shërbimeve jetike kanë goditur më fort se kurrë shtresat më të varfra. Përballë kësaj situate, rënia e mbështetjes financiare nga shteti shihet si një akt braktisjeje dhe neglizhence ndaj qytetarëve në nevojë.

Shqipëria mban vendin e parë në Europë për nivelin më të lartë të varfërisë relative, sipas të dhënave të fundit nga Banka Botërore dhe Eurostat. Megjithatë, politika sociale e ndjekur duket se ka ndryshuar drejtim – jo drejt forcimit të mbështetjes për më të dobëtit, por drejt reduktimit të saj.

Në fillim të viteve ’90, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ndihma ekonomike përbënte një instrument kyç për të shmangur kolapsin social. Sot, megjithë përparimet në treguesit makroekonomikë, realiteti në terren tregon për një shtresë të gjerë të popullsisë që mezi përballon jetesën.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo tkurrje e ndihmës ekonomike në një klimë të tillë varfërie mund të sjellë pasoja të rënda për kohezionin shoqëror, përshkallëzim të pabarazisë dhe rritje të tensioneve sociale.

Kur më shumë se 4 në 10 shqiptarë ndodhen në prag të mbijetesës, politika e uljes së ndihmës ekonomike nuk është vetëm e pashpjegueshme – është e pafalshme.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X