Në datën 5 qershor nisen procedurat e regjistrimit për fëmijët që do të ndjekin çerdhet publike në kryeqytet. Prindërit kanë afat deri të premten (9 qershor) për të përfunduar procedurat e regjistrimit të fëmijës. Regjistrimi do të bëhet për fëmijët që ndjekin për herë të parë sistemin e akomodimit në çerdhe.
Regjistrimet do të lejohen sipas vendbanimit të fëmijës. Për secilën kategori, është përcaktuar edhe dosja e dokumenteve që do të duhet të paraqesin për regjistrim.
Ndërsa për fëmijët që frekuentojnë aktualisht çerdhet, por që janë në prag të mbushjes së moshës për të kaluar në kopësht, regjistrimi do të bëhet automatikisht. Por, prindërit duhet që të bëjnë më parë konfirmimin se në cilën nga kopshtet do të duan të kalojnë fëmijën e tyre.
Për fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2022-2023 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 shtator 2023, do të regjistrohen automatikisht në kopsht. Për këtë, kërkohet bashkëpunimi i prindërve, duke deklaruar pranë çerdhes që fëmija ka frekuentuar, kopshtin në të cilin dëshironi të regjistroni fëmijën. Data 24 qershor është përcaktuar edhe si afati i fundit për kryerjen e këtij deklarimi. Në çdo rast, kopshti i përzgjedhur nga prindërit, duhet të jetë në njësinë administrative ku aktualisht ndodhet vendbanimi i fëmijës.
Sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara, edhe për pranimet e reja të 2023 prioritet në regjistrime do të kenë fëmijët e kategorive në nevojë, si dhe fëmijët që i kanë të dy prindërit në punë.
Certifikata personale dhe familjare e fëmijës, vërtetimi i punës me pagën mujore të pasqyruar të prindërve, vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për Individin që mund të sigurohet nga portali zyrtar e-albania, si dhe dëshmitë specifike për statusin e fëmijëve të kategorive në nevojë, janë dokumentet bazë që kërkohen për regjistrimet në çerdhe. Një dokument i rëndësishëm që nuk duhet neglizhuar nga prindërit është edhe vërtetimi i vaksinimeve të fëmijës, që merret pranë qendrës shëndetësore. “Dokumentacionin e kërkuar mund ta shkarkoni nga portali zyrtar e-albania si posedues të kodit personal me kartë identiteti. Në rastet kur kjo gjë nuk është e mundur, ju duhet që të dorëzoni pranë komisionit të regjistrimit të ngritur në çdo çerdhe një fotokopje të kartës tuaj të identitetit, si dhe të plotësoni deklaratën personale në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale”, bëjnë me dije ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve në kryeqytet.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin parauniversitar, çerdhet janë institucione në vartësi të pushtetit vendor dhe në to mund të regjistrohen fëmijët e grup-moshës nga 6 muaj deri në 3 vjeç.Edukimi parashkollor në Republikën e Shqipërisë është publik dhe privat. Ai përbëhet nga çerdhet dhe kopshtet. Çerdhet janë institucione në vartësi të pushtetit vendor dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (0-3) vjeç. Kopshtet janë institucione në vartësi të MAS dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (3-6) vjeç. Arsimi parashkollor nuk është i detyruar.
Dosja e dokumenteve të aplikimit që kërkohet për çdo fëmijë:
Fëmijët me statusin e jetimit
Libreza e statusit të jetimit të fëmijës.
Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.
Fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit
Libreza e statusit të kujdestarit ligjor të fëmijës.
Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.
Fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda:
Raporti mjeko-ligjor i fëmijës.
Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.
Fëmijët ku kujdestari ligjor është person me aftësi të kufizuara :
Raporti mjeko-ligjor i kujdestarit të fëmijës.
Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
Fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike
Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
Vërtetim nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor të fëmijës.
Fëmijët e familjeve mono-prindërore, ku kujdestari ligjor e ka pagën nën nivelin e pagës minimale:
Certifikatë personale dhe familjare të fëmijës.
Vërtetim page i kujdestarit ligjor, i cili duhet të jetë nën pagën minimale të përcaktuar në Republikën e Shqipërisë.
Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e shëndetësore për individin nga portali zyrtar e-albania.
Fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor i fëmijës është i divorcuar ose i ve, por që është nën pagën minimale:
Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
Vërtetim page i kujdestarit ligjor i cili duhet të ketë pagë nën atë minimale të përcaktuar.
Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e shëndetësore për individin nga portali zyrtar e-albania.
Fëmijë të familjeve të pakicës rome dhe egjiptiane sipas vërtetimit përkatës të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre, ose vetdeklarimi ku përcaktohet se familja është pjesë e këtyre pakicave:
Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
Vërtetim të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre ose nga vetdeklarimi
Fëmijët e vendosur në kujdestari nga familjet kujdestare, sipas legjislacionit përkatës:
Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
Vendimi i gjykatës për dhënien e kujdestarisë.
PËR KATEGORITË E TJERA:
Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
Vërtetim Pune me pagë mujore të pasqyruar të kujdestarit ligjor (prindërve).
Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për Individin nga portali zyrtar e-albania.
Leave feedback about this