Në Shqipëri sistemi shëndetësor vijon të përballet me probleme edhe pse vitet e fundit janë bërë përparime. Pagesat e qytetarëve nga xhepi megjithëse kanë paguar kontribute shëndetësore, janë mbi mesataren e vendeve të BE, dhe rëndojnë buxhetin e familjeve. Disa ekspertë po nxisin diskutime për një model të ri të ofrimit të shërbimeve që parashikon rritjen e sigurimeve shëndetësore, dhe rimburisimin e shërbimeve mjekësore edhe në spitalet private me qëllim për të përmirësuar sasinë dhe cilësinë e tyre. Autoritetet kanë rezerva për këtë model, ndërsa thonë se po shtojnë kontratat me strukturat private për shërbime që mungojnë në ato publike.
Në Shqipëri, ofrimi i shërbimeve mjekësore bazohet në parimin universal, pra ofrimit të sa më shumë shërbimeve dhe atë të solidaritetit, të ofrimit të disa shërbimeve edhe për qytetarë që nuk kanë paguar kontribute shëndetësore. Por një nga problemet më të prekshme vazhdon të jetë sasia e lartë e pagesave që ata duhet të bëjnë, megjithëse kanë paguar kontributet përkatëse.
Sipas një raporti të fundit të Komisionit Europian, që analizon programet e reformave ekonomike në vendet e rajonit, pagesat nga xhepi në Shqipëri në masën 45% të shpenzimeve totale në shëndetësi, janë dukshëm mbi mesataren prej 15.5% të vendeve të BE. Këto janë të dhënat e vitit 2018, por INSTAT për vitet në vazhdim paraqet shpenzime në rritje të familjeve për shëndetin.
Njohës të fushës mendojnë se ka ardhur koha për një debat publik që i shërben rritjes së nivelit të kontributeve shëndetësore të qytetarëve me qëllim për të shtuar shërbimet dhe cilësinë në sistemin shëndetësor publik. Sipas skemës aktuale mbi 50% të kontributeve paguhen nga
buxheti i shtetit( taska -tatime). Qytetarët paguajnë 3.4% të pagës të ndarë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ata mund të paguajnë kontribute edhe në shoqëri private sigurimesh.
“Ky nivel është tejet i ulët. Ne praktikisht jemi të fundit në rajon për nivelin e kontributeve direkte të sigurimeve shëndetësore. Masa e tyre është 8-9% në rajon, ndërsa në Kosovë është 7%. Me këtë nivel të ulët qytetarët kanë më pak shërbime cilësore, mjekët paga më të ulëta dhe ka më pak investime. E vërteta i duhet thënë qytetarëve, një nivel më i lartë pagese është shërbim cilësor ndaj tyre. Shëndetësia kushton, ka kosto është e shtrenjtë kudo. Duhet konsensus politik për çështje të tilla për të patur qëndrueshmëri ndër vite”-u shpreh për Zërin e Amerikës, Qamil Dika Pedagog në Faklutetin e Mjekësisë në UMT.
Nga ana e tyre zyrtarët shpjegojnë se politika e rritjes së pagave ka sjellë për pasojë dhe rritjen e kontributeve shëndetësore të qytetarëve. Edhe ekspertët veçojnë hapa pozitiv drejt mbulimit universal të kujdesit shëndetësor si përmes zgjerimit të listës së barnave të rimbursueshme dhe të kategorive që përfitojnë ashtu dhe në drejtim të investimeve në sektorin e shëndetësisë.
Buxheti për sektorin e shëndetësisë është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit me mbi 80%, por në raport me PBB ai është 3.1%, dukshëm nën mesataren prej 8% të vendeve të BE, ndërsa autoritetet thonë se synojnë ta çojnë në masën 5%. Komisioni Europian vlerëson se sistemi shëndetësor në Shqipëri është i nënfinancuar dhe se kujdesi shëndetësor arrin të marrë 10% të shpenzimeve qeveritare, nën rekomandimin prej 12% të OBSH. Dhe për rrjedhojë financimet e kufizuara kanë bërë që qytetarët të shpenzojnë nga xhepi shpeshherë dhe në rrugë informale.
Sistemi publik shëndetësor financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Modeli është hibrid, një ndërthurje mes atij Beverixh, ku shteti mbulon të gjitha shpenzimet në shëndetësi, dhe atij Bismark ku shërbimet shëndetësore mbulohen nga kontributet e qytetarëve. Në Shqipëri është i zhvilluar dhe sistemi
shëndetësor privat, dhe qytetarët paguajnë nga xhepi për shërbimet që kërkojnë. Por pavarësisht disa përmirësimeve gjatë vitet e fundit, në sistemin publik skema e mbulimit universal është e cënuar.
“Ka sigurisht mangësitë e veta duke qenë një miks i paketave që përdor bota. Një nga mangësitë kryesore është që nuk ofron shërbime universale, ose të gjitha shërbimet. Mangësia tjetër, që ne e ndjejmë të gjithë se detyrohemi të paguajmë edhe nga xhepi për shërbimet shëndetësore lidhet me cilësinë që lë për të dëshiruar në spitalet publike”- u shpreh për Zërin e Amerikës Elisabeta Musta, mjeke në Tiranë.
Për të mundësuar disa shërbime shëndetësore që nuk ofrohen në strukturat shtetërore autoritetet thonë se kanë nënshkruar kontrata me institucione shëndetësore private.
“Shteti për të plotësuar nevojat për ato patologji që nuk mundet t’i mbulojë vetë që janë jetëshpëtuese ka 19 paketa, që qytetarët në bazë të kontributeve të tyre dhe financimeve nga shteti, mund t’i marrin në institucione private shëndetësore siç janë ato të kardiologjisë, dializës, implantit koklear, kataraktit apo radioterapisë. Pra shteti është munduar që çdo vit të plotësojë nevojat në rritje të popullsisë edhe në bazë të zhvillimeve që po bën shkenca mjekësore”- tha për Zërin e Amerikës Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë.
Por mjaft ekspertë në kuadër edhe të përparimit të sistemit privat shëndetësor gjatë dekadës së fundit, po nxisin një debat të ri, në funksion të rritjes së shërbimeve shëndetësore dhe cilësisë duke e parë sistemin publik dhe atë privat si një të vetëm. Ata propozojnë që këto shërbime të mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në të dy sektorët, dhe qytetari të zgjedhë vetë se ku dëshiron t’i marrë ato.
“Ne përmes rritjes së kontributeve nxisim edhe dy elementë të tjerë, që janë futja në skemë e operatorëve privat, duke ofruar shërbim
shëndetësor për qytetarët të mundësuar nga pagesat e fondit publik dhe elemetin tjetër konkurueshmërinë midis dy operatorëve publik dhe privat. Kostoja e shërbimit e kostifikuar nga Ministria e Shëndetësisë i alokohet institucionit ku qytetari zgjedh të marrë shërbim. Këtu do të kishim patjetër një hop cilësor të sistemit tonë shëndetësor. Do të shihet kush performon më mirë sistemi privat apo ai publik. Dhe drejtori i radhës nuk do rrijë aty të shohë tendera po do shohë mekanizmat se si të rrisë performancën”- vijoi Qamil Dika Pedagog në Faklutetin e Mjekësisë në UMT.
Pedagogu i shkencave mjekësore në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan, Gjergj Koja mendon se një hap i tillë kërkon analiza të kujdesshme pasi pasojat në rast të mosfunksionimit të kësaj skeme janë të rënda.
“Mund të jetë një oportunitet në lidhje me zgjerimin e shërbimeve që skema e sigurimeve shëndetësore mund të mbulojë në të adhmen duke patur parasysh këtë gjë, që praktika e rimbursimit të dializës në spitalet private është një ogur i mirë për t’u marrë në konsideratë për zgjerimin e skemës. Por kjo është një gjë që duhet parë dhe diskutuar mirë, sepse ka raste që përfiton spitali publik por ka dhe raste që vihet në vështirësi publiku ose përfiton spitali privat në kurriz të spitalit publik. Duhet studiuar mirë, duhen parë disa variante të bashkëpunimit, sepse pasojat në rast të mosfunksionimit të kësaj skeme janë të rënda”- u shpreh për Zërin e Amerikës Gjergj Koja, ish Ministër i Shëndetësisë.
E pyetur nga Zëri i Amerikës në lidhje me diskutimet për një model të ri të ofrimit të shërbimeve shëndetësore të rimbursueshme si në spitalin publik ashtu dhe në atë privat, Zv. Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ishte skeptike duke dhënë këto argumenta.
“Ky model ka shumë probleme, teknike, mjekësore dhe financiare. Bëhet vështirësisht i kontrollueshëm. Janë eksperienca të ndara me ekspertë ndërkombëtarë, dhe janë këshilla të tyre. Sepse për një diagnozë me një ekzaminim mund të kërkohen disa, sepse përfiton
më shumë të ardhura spitali. Nuk është model i rekomanduar fuqishëm nga ekspertët me të cilët ne konsultohemi për të bërë më të mirën. Është problem kompleks mbarë botëror, po të ishte një model i mirë nuk do ekzistonin 4. Sejcili ka prioritetet dhe mangësitë e veta”- vijoi Mira Rakacolli Zv. Ministre e Shëndetësisë.
Debatet për modelin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore zhvillohen edhe në vendet perëndimore, ku në jo pak raste janë vërjetur mangësi. Por në Shqipëri, ato marrin një përmasë tjetër në kushtet kur shpenzimet qeveritare për shëndetësinë në raport me GDP, si dhe kontributet e qytetarëve janë thuajse sa gjysma e atyre të vendeve perëndimore. Në vitin 2020, sipas një dokumenti të Komisionit Europian për Reformat Ekonomike në rajon, 9.1% e popullsisë, shumë herë më e lartë se mesatarja nga 1.1- 3.3 % e vendeve të BE, raportoi një nevojë të paplotësuar për kujdes mjekësor për shkak të kostos së lartë. Këto shifra sipas ekspertëve tregojnë se pavarësisht përmirësimeve në sistemin shëndetësor, Shqipëria vazhdon të përballet në vijmësi me problemet që lidhen me mbrojtjen financiare të personave me të ardhura të ulëta dhe kategori të tjera vulnerabël./ VOA
Leave feedback about this