Pas dy muaj e gjysmë nga zjarri i rënë në urgjencën e QSUT, nis puna për riparimin e dëmeve. 300 mijë euro do të paguajë Ministria e Shëndetësisë për rikthimin në normalitet të Urgjencës së re të Sëmundjeve të Brendshme.
A2 CNN ka mundur të hyjë në dy katet e nëndheshëm të Urgjencës, aty ku zjarri i javëve më parë nxori jashtë funksioni shërbimin më të rëndësishëm të dhënies së ndihmës së parë.
Ende në zona të caktuara në shërbimin e Radiologjisë janë shenjat e zjarrit, ndërsa në pjesë të tjera të Urgjencës po punohet për pastrimin dhe riparimin e dëmeve.
Mjekët e urgjencës konfirmojnë për A2 se punimet në këtë shërbim ka nisur prej ditësh. Mësohet se e njëjta kompani që ndërtoi urgjencën e re të sëmundjeve të brendshme me vlerë 17 milion euro, po kryen edhe riparimin e dëmeve, por me një faturë tjetër financiare.
Procedura e zgjedhur për këtë tender është ajo e “negocimit, pa shpallje paraprake”, që do të thotë se gara ishte e mbyllur nën argumentin e emergjencës.
Punimët përfshijnë ndërtime dhe instalime elektrike në zonën e dëmtuar nga flakët. Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e thirrur më herët në një seancë dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë deklaroi se Urgjenca do të rinisë punën në fund të majit.
Ndërsa pacientët vijojnë të trajtohen në dy spitalet e tjerë universitarë, në Sanatorium dhe tek Trauma.
Ndërkaq prokuroria e Tiranës vijon hetimin për zjarrin në Urgjencën e re të QSUT ndërsa do të kryeje riekspertim për të verifikimin edhe te cilësisë së punimeve në godinën me të re të qendrës spitalore.
Leave feedback about this