Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, i shtohen laboratorë dhe Qendër Multifunksionale për Këshillin Studentor dhe klubet studentore, në të cilat janë instaluar pajisje dhe teknologji të reja. Të gjitha këto do të vijnë në ndihmë për realizimin e veprimtarisë akademike, didaktike, kërkimore, si dhe përvetësimin e kompetencave të reja në fushën e Inteligjencës Artificiale, financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në kuadër të programeve të ndërkombëtarizimit. Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës i janë shtuar 4 laboratorë dhe 1 qendër shumëfunksionale për Këshillin Studentor dhe klubet studentore.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vizitoi sot nga afër Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku theksoi se “këta laboratorë nuk do të jenë vetëm në dispozicion të pedagogëve për punë kërkimore shkencore dhe akademike, por edhe në dispozicion të studentëve”.
“Ministria e Arsimit vitin e kaluar për herë të parë vuri një buxhet të dedikuar për ndërkombëtarizimin. Tashmë ndërkombëtarizimi është politika jonë bazë në arsimin e lartë, duke i nxitur, duke i mbështetur universitetet për bashkëpunime me universitete ndër më prestigjiozet. Bashkëpunime që mund të përkthehen në programe studimi të dyfishta, të përbashkëta, por edhe shkëmbime pedagogësh, shkëmbime studentësh, programe kërkimore shkencore dhe në përgjithësi në të gjitha aspektet e jetës akademike, jetës universitare”, nënvizoi Kushi.
Kushi tha se “vitin e kaluar ne vumë një buxhet 400 milionë lekë të rinj për universitetet shqiptare. Shpallëm një thirrje. Thirrja ishte e ndarë në dy zëra. Njëri zë për të mbështetur hartimin dhe implementimin e programeve, me hartimin e kurrikulave apo shkëmbimin e pedagogëve, dhe zëri i dytë ishte për infrastrukturën, sepse shumë programe të dyfishta apo të përbashkëta me universitetet evropiane kanë nevojë për laboratorë të rinj, për infrastrukturë, për pajisje, për t’i mundësuar, për t’i zbatuar siç duhet këto programe”.
Ministrja Kushi u shpreh se “më vjen mirë që Universiteti i Tiranës iu përgjigj menjëherë thirrjes sonë për të përfituar nga ky buxhet dhe sot pres me padurim që t’i vizitojmë këto mjedise për të cilat unë jam krenare. Pra përfshirja e këshillave studentorë apo klubeve studentore në këto projekte janë vërtetë për t’u përgëzuar”.
Kushi ftoi sërish studentët që të përgatiten me projekte kërkimore, sepse shumë shpejt do të hapet thirrja nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për projekte të kërkim-zhvillimit, por edhe projekte të infrastrukturës.
“Këtë vit kemi rritur buxhetin për kërkimin shkencor. Kemi rritur madje edhe kufirin maksimal për të aplikuar për një projekt të ri. Edhe numri i përfituesve do të jetë më i lartë, por edhe buxheti për çdo projekt fitues do të jetë më i lartë. Ndërkohë që dua ta përgëzoj Universitetin e Tiranës edhe për arritjen që sapo e përmendi rektori juaj, përfshirja në Aleancën Evropiane të Universiteteve. Është një tjetër sfidë e jona që shkon paralelisht me ndërkombëtarizimin. Dhe Universiteti i Tiranës është i pari që arriti të bëhet pjesë e një aleance të tillë. Le të përfitojmë sa më shumë. Le të marrim maksimumin e këtyre aleancave në dobi të universitetit, në dobi të studentëve, në dobi të pedagogëve”, tha Kushi.
Leave feedback about this