120 raste me kancer në qafën e mitrës, ISHP: Në 2024 vaksinojmë vajzat 14-20 vjeçe
Shendetesi

120 raste me kancer në qafën e mitrës, ISHP: Në 2024 vaksinojmë vajzat 14-20 vjeçe

Kanceri në qafën e mitrës, eshte alarmi I vene sefundmi nga ministria e shendetesise. Jane ekzaminuar 120 raste të reja me kancer në qafën e mitrës  përgjatë vitit 2022. Sipas eksperteve te kesaj fushe ashtu si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri shifrat e te prekurave nga ky lloj kanceri po njohin rritje. Por për të frenuar këtë trend rritjeje, prej muajit nëntorit të vitit 2022 vendi ynë ka nisur aplikimin e vaksinës kundër Human Papilloma Virusit, që është shkaktari i këtij kanceri tek gratë. Vaksina e HPV po ecën mirë, thuajse të gjitha vajzat e datëlindjes 2009 e kanë aplikuar dhe presim të vijë sasia tjetër për ta aplikuar vajzat që janë të datëlindjes 2010 shumë shpejt. Synimi ynë është të kapim sa më shumë vajza të moshës 14-18 vjeçe dhe në 2024 kemi në plan të kapim edhe vajzat deri në 20”, thotë Rovena Daja, specialiste në ISHP per Euronewsalbania. Aktualisht vaksina kundër kancerit në qafën e mitrës po aplikohet vetëm tek vajzat që kanë mbushur 13 vjeç. Që prej fillimit të procesit deri në mars të vitit 2023, 4500 vajza janë vaksinuar. Fushata te tilla I vijne ne ndihme ndergjegjesimit te populates qe te jene m te vemendshme ndaj semundjeve te tilla.

Informacion i përgjithshëm mbi kancerin e qafës së mitrës

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën. Në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit nga Shërbimi i Onkologjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Më tepër se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë. Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave në Shqipëri. Depistimi për kancerin e qafës së mitrës konsiderohet prioritet, por ende një pjesë e grave paraqiten në faza shumë të vonshme kur është vështirë të trajtohen. Prandaj, në paketën e rishikuar të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor janë përfshirë edhe shërbimet për parandalimin dhe kontrollin e kancerit të traktit riprodhues, përfshi ato për kancerin e qafës së mitrës. Ndërkohë ka përfunduar hartimi i udhërrëfyesit dhe i protokolleve për mënyrën si duhet punuar për kancerin e qafës së mitrës në shërbimet e kujdesit parësor.

Nga se shkaktohet kanceri i qafës së mitrës?

Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht, por seksi penetrues nuk është gjithmonë i nevojshëm për transmetim. Kontakti gjenital lëkurë me lëkurë është një mënyrë e mirë-njohur transmetimi. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktiv do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktiv. HPV-ja mund edhe të mbetet e fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksual. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me HPV, këto infeksione zhduken vetvetiu pa asnjë ndërhyrje brenda pak muajve mbas infektimit, dhe rreth 90% e tyre brenda 2 vjetëve. Por edhe pse shumica e infeksioneve HPV kalojnë vetë, një pakicë e tyre, kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë, vazhdojnë të qëndrojnë dhe të përparojnë në dëmtime parakanceroze dhe më vonë në kancer të qafës së mitrës te gratë.
Ka gjithashtu evidenca që lidhin HPV-në me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit, edhe pse këto lloje kanceri janë më pak të shpeshta se kanceri i qafës së mitrës. Disa lloje të HPV-së (sidomos llojet 6 dhe 11) që nuk shkaktojnë kancer, mund të shkaktojnë lythat gjenitale që janë shumë të përhapura dhe shumë infektive.

Të gjitha gratë mund të preken nga kanceri i qafës së mitrës?

Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse:

• Ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale
• Ka partnerë seksual të shumtë
• Ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale
• Ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm
• Përdor në mënyrë abuzive duhanin
• Ka imunitet të ulët (p.sh. individë të infektuar me HIV janë në rrezik më të lartë për t’u infektuar me HPV, dhe mund të infektohen nga lloje të ndryshme të HPV-së)

Çfarë shenjash ka kanceri i qafës së mitrës?

Shumica e infeksioneve nga HPV-ja nuk shkaktojnë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Infeksionet me llojet 16 dhe 18 që zgjatin, mund të çojnë në lezione parakanceroze, dhe nëse nuk trajtohen përparojnë në kancerin e qafës së mitrës. Ky përparim zakonisht merr shumë vite, dhe simptomat e kancerit të qafës së mitrës kanë tendencë të shfaqen vetëm atëherë kur kanceri ka arritur një stad të avancuar.

Shenjat mund të përfshijnë:

• Gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, ose gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale
• Dhimbje mesi apo në fund të barkut
• Lodhje, humbje peshe dhe oreksi
• Parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale
• Dhimbje gjatë kontaktit seksual

Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.

Si parandalohet kanceri i qafës së mitrës?

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe deri tek kujdesi paliativ. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.
Ndërhyrje të tjera parandaluese të rekomanduara si për djemtë e për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale dhe fillimi me vonesë i aktivitetit seksual; promovimi dhe sigurimi i prezervativëve për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit (që është faktor rreziku për kancerin e qafës së mitrës) dhe rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre dhe komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm.

Çfarë është vaksina kundër HPV-së?

Aktualisht në dispozicion janë 2 lloje vaksinash që sigurojnë një mbrojtje të lartë kryesisht kundër dy llojeve të HPV-së, 16 dhe 18, të njohura për shkaktimin e të paktën 70-80% të kancerit të qafës së mitrës. Vaksinat mund të ofrojnë mbrojtje edhe kundër llojeve të tjera të HPV-së që janë më pak të shpeshta në shkaktimin e kancerit të qafës së mitrës. Një prej vaksinave mbron gjithashtu edhe nga llojet 6 dhe 11 të HPV-së të cilat shkaktojnë lythat anogjenitale. Studimet tregojnë se të dyja vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV 16 dhe 18, nëse aplikohen para ekspozimit të HPV-së. Prandaj preferohet që ato të aplikohen para aktivitetit të parë seksual. OBSH-ja rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç, mbasi kjo është masa më kosto-efektive e shëndetit publik kundër kancerit të qafës së mitrës.
Disa vende kanë filluar të vaksinojnë djemtë si masë parandaluese e kancerit gjenital,
duke qenë se një nga dy vaksinat parandalon edhe lythat gjenitale në meshkuj dhe femra.
Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Por, nëse infeksioni me HPV ka ndodhur, vaksina nuk mund të trajtojë infeksionin apo të luftojë kancerin. Vaksinimi kundër HPV-së nuk zëvendëson depistimin për kancerin e qafës së mitrës. Prandaj, edhe gratë të cilat janë vaksinuar, duhet të vazhdojnë të kryejnë rregullisht kontrolle për kancerin e qafës së mitrës.

Çfarë është depistimi për kancerin e qafës së mitrës?

Depistimi/kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme. Kur depistimi zbulon fazat parakanceroze, këto mund të trajtohen lehtë dhe zhvillimi i kancerit shmanget. Gjithashtu, depistimi mund të zbulojë kancerin në fazën e hershme kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim.
Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap testi, kontrolli viziv me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia.

Çfarë është Pap testi?

Pap testi (Papanicolaou test) është një test tradicional depistues. Është e rëndësishme që, të gjitha gratë ta bëjnë Pap testin rregullisht si pjesë e kujdesit rutinë për shëndetin e tyre. Pap testi është një test i cili përdoret për të gjetur qelizat jonormale në qafën e mitrës që në fazat e hershme parakanceroze. Pap testi është një test i shpejtë, i thjeshtë, jo i dhimbshëm, zgjat vetëm pak minuta, por mund të shpëtojë jetën e një femre. Fatmirësisht, koha e gjatë nga momenti i shfaqjes së qelizave jonormale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit, i jep mundësinë një femre ta kapi në kohë atë nëse kontrollohet rregullisht.
Pap testi kryhet ambulatorisht në një klinikë apo spital. Rreth 2 ditë para kryerjes së Pap testit duhen shmangur dushet vaginale, përdorimi i suposteve vaginale, kremrave spermicid, sprajtit deodorant vaginal, si dhe shmangia e marrëdhënieve seksuale, mbasi të gjitha këto ndikojnë në rezultatin e Pap testit. Gjithashtu, kryerja e Pap testit duhet bërë jo në periudhën menstruale, por disa ditë larg menstruacioneve. Ndërkohë që gruaja shtrihet në shtratin e vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël që është posaçërisht për këtë. Materiali më pas dërgohet në laborator për t’u parë nga mjeku specialist dhe përgjigjja jepet mbas rreth 2 javësh.
Nëse një femër bën Pap teste të rregullta, ajo mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës. Është e rëndësishme për një grua të diskutojë rezultatet e Pap testit me mjekun. Nëse rezultati i Pap testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Por edhe kur rezultati i Pap testit është normal, gruaja duhet të vazhdojë rregullisht bërjen e tij. Për gratë që rezultojnë negativ gjatë Pap testit, intervali për ridepistim duhet të jetë pas 3-5 vitesh. Pas një depistimi të dytë me rezultate negative, dhe për gratë në moshë më të madhe, intervali i depistimit mund të jetë më i gjatë se 5 vjet. Nëse rezultati i Pap testit del jonormal, do të thotë që disa qeliza jonormale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Nëse Pap testi tregon një dyshim apo gjendje jonormale, mjeku kërkon të përsëritet testi mbas 6 muajsh apo kërkon të kryhen ekzaminime të tjera shtesë.

Po testimi për HPV çfarë është?

Testimi për HPV është metodë testimi që bazohet në zbulimin e ADN-së së llojeve të HPV-së me rrezik të lartë në mostrat vaginale ose të qafës së mitrës. Testimi për HPV rekomandohet për çdo grua duke filluar nga mosha 30 vjeç. Por, edhe pse kanceri i qafës së mitrës është i rrallë para moshës 30 vjeç, depistimi mund të bëhet dhe te gratë më të reja se 30 vjeç nëse vihet re rrezik i lartë. Nga ana tjetër, nëse HPV-ja me rrezik të lartë zbulohet te një grua në moshë, ka shumë gjasa që infeksioni me HPV të jetë persistent.
Në testimin për HPV, merret një mostër qelizash duke futur në vaginë një furçë të vogël dhe pastaj vendoset në një enë me solucion ruajtës. Mostra mund të mblidhet dhe nga vetë gruaja duke e udhëzuar paraprakisht.
Megjithëse testimi për HPV është shumë i ndjeshëm në zbulimin e HPV-së, një test pozitiv HPV nuk konfirmon se gruaja ka parakancer; ai vetëm konfirmon se ka një infeksion me HPV.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon depistimin për çdo grua seksualisht aktive nga mosha 30 deri në 49 vjeç, të paktën një herë në jetë dhe në mënyrë ideale më shpesh,i cili do të reduktojë vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës.

Si trajtohet kanceri i qafës së mitrës?

Depistimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë parandaluese nëse nuk lidhet me trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.
Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë dhe jo gjithmonë kërkon shtrim në spital. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të patur fëmijë në të ardhmen.
Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës duhet të ndiqen dhe trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë.Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X