Kompanitë e sigurimeve paguan 128 milionë lekë ose rreth 1.1 milionë euro në dy muajt e parë të këtij viti për dëmet e shkaktuara nga automjetet shqiptare jashtë vendit.Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera e dëmeve në produktin e Kartonit Jeshil është rritur me 174% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Periudha e pas pandemisë ka sjellë një rritje të ndjeshme të turizmit dalës të shqiptarëve jashtë vendit. Sipas të dhënave nga INSTAT, vitin e kaluar daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rritën me 40% krahasuar me vitin 2021. Rritja ka vazhduar të ruajë ritme të ngjashme edhe për dy muajt e parë të vitit 2023. Pjesa më e madhe e daljeve jashtë vendit kryhen në rrugë tokësore dhe kjo është reflektuar edhe në rritjen e primeve të sigurimit nga Kartoni Jeshil. Për vitin e kaluar, primet e shkruara bruto për këtë produkt u rritën me 38% krahasuar me vitin 2021, ndërsa rritja ka vazhduar edhe për dy muajt e parë të këtij viti, me 14.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e numrit të shqiptarëve që po udhëtojnë jashtë vendit me automjetet e tyre po sjell edhe një shtim të dëmeve të shkaktuar prej tyre. Produkti i Kartonit Jeshil ose Certifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorrik, certifikon dhe garanton sigurimin e Përgjegjësisë Civile ndaj palëve të treta, në të gjitha vendet Anëtare pjesë e Sistemit të Kartonit Jeshil Kartoni Jeshil, lëshohet nën autoritetin e çdo Byroje të Sigurimit, konform detyrimeve dhe përgjegjësive të marra nga anëtarësia në Këshillin e Byrove. Shqipëria përfaqësohet në këtë sistem nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, ku për produktin e kartonit Jeshil janë të anëtarësuara shtatë nga tetë kompani të sigurimit të Jo-Jetës. Kartoni Jeshil lëshohet nën autoritetin e Byrosë dhe ju furnizohet kompanive të sigurimeve anëtare të Byrosë. Çdo shoqëri anëtare, ka të drejtën t’ia u sigurojë klientëve të tyre që dëshirojnë të udhëtojnë jashtë kufijve të vendit. Në tetor 2013, me vendimin e Këshillit të Byrove, Byroja Shqiptare e Sigurimit u vendos në statusin “në monitorim”, për shkak të rritjes së numrit të thirrjeve të garancive ndër vite, numrit të konsiderueshëm të pazgjidhur të kërkesave për dëmshpërblim, mos ndjekjen e rregullave të brendshme në lidhje me emërimin e korrespondentëve, mospjesëmarrjen e Byrosë në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme dhe takimeve rajonale, si dhe ndryshimeve të vazhdueshme të drejtuesve të Byrosë. Byroja Shqiptare e Sigurimit qëndroi me këtë status për afërsisht 10 vjet. Vetëm në dhjetor të vitit të kaluar, anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes të Këshillit të Byrove, pasi njohën progresin e arritur në vitet e fundit si dhe plotësimin e kritereve, vendosën të miratojnë heqjen e statusit të monitorimit për Byronë Shqiptare të Sigurimit.Sipas informacionit nga AMF, përsa i përket kritereve financiare që lidhen me skemën e risigurimit dhe garancinë bankare, anëtarët e Bordit Mbikëqyrjes të Këshillit të Byrove, kanë vendosur që Byroja të vazhdojë të mbajë të njëjtën mbulesë risigurimi për kartonin jeshil dhe garancia financiare të zbresë me rreth 1 milionë euro, kjo për shkak të përmirësimit të vërejtur përgjatë viteve të fundit me rastet e thirrjes së garancisë./E.Shehu Monitor
Ekonomi
Sigurime të Detyrueshme
Dëmet nga mjetet shqiptare jashtë vendit, siguruesit paguan 1.1 milionë euro në dy muajt e parë të vitit
- April 12, 2023
- 0 Comments
- 130 Views
Leave feedback about this