Votimet për zgjedhjet vendore nisin me telashe në identifikimin elektronik dhe me probleme të tjera në menaxhimin e njerëzve dhe materialeve zgjedhore.
Aktualitet

Votimet për zgjedhjet vendore nisin me telashe në identifikimin elektronik dhe me probleme të tjera në menaxhimin e njerëzve dhe materialeve zgjedhore.

Votimet sot kanë nisur me shumë probleme. Qytetarët shqiptarë janë thirrur për të zgjedhur kryetarët e rinjë të bashkive dhe anëtarët e këshilleve bashkiake ndërsa në disa qendra, identifikimi elektronik ka rezultuar me probleme. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ishte një nga qytetarët e shumtë që hasi vështirësi në identifikim.

Në disa qendra votimi në të gjithë vendin procesi nuk ka nisur ende deri në orën 9.21, ndërsa incidente të ndryshme janë raportuar në bashki të ndryshme. Në orët e vona të natës të së shtunës, disa qytetarë sulmuan fizikisht kandidatin e PS-së për Bashkinë Kolonjë Erjon Isai, pasi e akuzuan se ishte duke blerë vota në fshatin Qinam. Agresorët u ndaluan nga policia.

Në Bashkinë Kuçovë, kandidati i opozitës Lefter Maliqi akuzoi disa punëtorë të një kompanie ndërtimi se po blinin vota. Këta të fundit e denoncuan për shpifje dhe fyerje.

Gazetari i BIRN vërejti në zonën problematike të Spitallës në Durrës prani të grupeve të ndryshme të njerëzve që mbikëqyrnin procesin në mënyrë kërcënuese.

Rreth 3.65 milionë qytetarë kanë të drejtën e votës në Shqipëri, por një pjesë e konsiderueshme e votuesve besohet se janë në emigrim dhe në pamundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Pjesëmarrja në zgjedhjet e shkuara ka qenë më pak se 50%.

Në një qendër votimi në Elbasan KQZ urdhëroi nisjen e procesit të identifikimit manual të votimit pas dështimit të identifikimit elektronik.

Gara aktuale vë kryesisht përballë njëri-tjetrit kandidatët e Partisë Socialiste me kandidatët e koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X