Numri i kontratave të sigurimit të jetës së huamarrësve është në rritje të lartë edhe për muajt e parë të vitit 2023.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 4- mujorin 2023, kompanitë e sigurimit të jetës lidhën më shumë se 30 mijë kontrata të sigurimit të jetës së debitorit.
Numri i kontratave të sigurimit për këtë produkt është rritur me pothuajse 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare.
Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë bankare afatgjata dhe në shuma të mëdha.
Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, ka banka të veçanta që mund të kërkojnë sigurim jete edhe për kreditë konsumatore, për shuma apo maturitete të caktuara. Sigurimi i jetës rinovohet çdo vit, për të gjithë kohëzgjatjen e kredisë.
Në këtë mënyrë, rritja e kontratave të sigurimit të jetës së debitorit është në mënyrë të tërthortë edhe i financimeve të bankave për kredi hipotekare dhe i nivelit të kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët në fund të muajit prill arriti në 171.5 miliardë lekë ose më shumë se 1.6 miliardë euro me kursin aktual.
Në një vit, ky portofol është rritur me 11.4%. Kredia për banesa po shfaq ende një ecuri pozitive, pavarësisht rritjes së normave të interesit prej vitit të kaluar.
Sigurimi i jetës së debitorit është në fakt kolona kryesore ku mbahet tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri.
Aktualisht, ai siguron rreth 73.5% të numrit të përgjithshëm të kontratave dhe të volumit total të primeve. Për katër muajt e vitit 2023, primet e shkruara bruto nga kontratat e sigurimit të jetës së debitorit arritën në 393 milionë lekë ose 3.7 milionë euro.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, primet e shkruara bruto janë rritur me 18.5%. Rritja e primeve me ritme më të ulëta se numri i kontratatve mund të shpjegohet pjesërisht me forcimin e lekut në kursin e këmbimit valutor.
Primet e sigurimit të jetës së debitorëve përgjithësisht vlerësohen në euro, ndërsa statistikat raportohen në lekë.
Për 4-mujorin 2023, tregu i sigurimit të jetës arriti një volum të primeve të shkruara bruto prej 567 milionë lekësh, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e tregut të jetës është ndjeshëm më e lartë se rritja e sigurimeve të jo-jetës, që për të njëjtën periudhë shënoi një rritje me rreth 16%. Shtysa kryesore në rritjen e tregut të sigurimit të jetës ka qenë pikërisht produkti i sigurimit të jetës së debitorit.monitor
Leave feedback about this