Raporti mbi trafikun e qenieve njerëzore – Shqipëria dhe Kosova në nivelin e dytë
Aktualitet

Raporti mbi trafikun e qenieve njerëzore – Shqipëria dhe Kosova në nivelin e dytë

Departamenti amerikan i shtetit publikoi të enjten raportin mbi Trafikun e Qenieve Njerëzore për vitin 2022, që përfshin vlerësimet për rreth 190 vende të botës.

Raporti i ndan vendet në tre nivele. Në nivelin e parë përfshihen vendet dhe territoret qeveritë e të cilave respektojnë plotësisht standardet minimale të kërkuara. Në nivelin e dytë hyjnë vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të arritur një gjë të tillë dhe ë nivelin e tretë futen vendet që nuk përputhen plotësisht me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje për një gjë të tillë.

Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen në nivelin e dytë.

Sipas raportit të vitit 2023, qeveria e Shqipërisë nuk përmbushi plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë.

Qeveria demonstroi një rritje të përpjekjeve të përgjithshme krahasuar me një vit më herët, duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm të pandemisë COVID-19, në kapacitetet e saj kundër trafikimit. Për këtë arsye Shqipëria vazhdoi të mbetet në Nivelin 2.

Mes përpjekjeve ishte hetimi i më shumë trafikantëve të dyshuar dhe miratimi i procedurave të reja për të identifikuar viktimat e trafikimit në flukset e parregullta të migracionit.

Departamenti i Shtetit përmend krijimin e katër qendrave që ofrojnë mbështetje psiko-sociale, ndihmë ligjore dhe ndihmë familjare, si edhe nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë për të zgjeruar ndihmën ligjore për viktimat.

“Megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe. Qeveria nuk dënoi asnjë trafikant dhe identifikoi më pak viktima. Qeveria vazhdoi të zbatonte në mënyrë jokonsistente procedurat e kontrollit për popullatat e cenueshme – veçanërisht migrantët, azilkërkuesit, komunitetet rome dhe ballkano-egjiptiane dhe fëmijët – dhe njësitë e lëvizshme të identifikimit të viktimave vazhduan të kishin fonde dhe personel të pamjaftueshëm”, thuhet në raport.

Po ashtu qeverisë i munguan burimet për përpjekjet për riintegrimin e viktimave, organet koordinuese kundër trafikimit nuk mbajtën takime dhe linja telefonike e vënë në dispozicion nga qeveria, vazhdoi të mos funksiononte.

Sipas raportit, qeveria e Kosovës nuk i përmbushi plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë.

Qeveria demonstroi një rritje të përpjekjeve të përgjithshme krahasuar me një vit më herët, duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm të pandemisë COVID-19, në kapacitetet e saj kundër trafikimit. Për këtë arsye Kosova vazhdoi të mbetet në Nivelin 2.

Mes përpjekjeve ishin ndjekja penale e më shumë të pandehurve dhe dënimi i një numri më të madh trafikantësh.

Qeveria krijoi udhëzues për punonjësit e shëndetësisë për të identifikuar viktimat e mundshme dhe përktheu pamflete në gjuhët ukrainase dhe rusishte që informojnë viktimat për të drejtat e tyre dhe shërbimet në dispozicion.

Organet koordinuese kundër trafikimit u takuan vazhdimisht dhe qeveria hartoi dhe miratoi Strategjinë Kombëtare Antitrafik përperoidhën 2022-2026.

“Megjithatë, qeveria nuk përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe. Gjyqtarët vazhduan të jepnin dënime të buta për shumicën e trafikantëve të dënuar, të cilat ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga ligji i trafikimit. Kodi penal e klasifikon detyrimin e fëmijëve nga prindërit për të lypur në rrugë si neglizhencë ose abuzim prindëror dhe jo si trafikim dhe, për shkak të procedurave jo të përshtatshme të identifikimit të rasteve të lypjes së detyruar, autoritetet ka të ngjarë të kenë dëbuar në mënyrë të papërshtatshme disa viktima të paidentifikuara trafikimi pa i referuar ato në shërbimet e duhura”, thuhet në raport.

Po sipas raportit, qeveria pakësoi fondet për strehat e drejtuara nga OJQ-të dhe operatorëve të linjës telefonike u mungonte përhatitja për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur telefonatave të lidhura me trafikimin, veçanërisht për rastet e mundshme të nxjerrjes së detyruar të fëmijëve për të lypur.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X