Raportet elektronike mjekësore, të cilat që prej më shumë se një viti merren në hapësirën “Dokumentet e mia” në portalin e-Albania, e kanë lehtësuar ndjeshëm marrëdhënien mes pacientëve, mjekëve dhe punëdhënësve, si dhe kanë krijuar një standard të ri, modern dhe transparent të shkëmbimit të shpejtë e të saktë, të informacionit të domosdoshëm mes tyre.
Shifrat flasin qartë për këtë. Janë 373,517 raporte mjekësore elektronike ose rreth 30 mijë, mesatarisht, në muaj, të shpërndara në rang vendi, që prej marsi i vitit 2022 kur ky shërbim nisi së pari me ”Raportin për paaftësi në punë për sëmundje të përgjithshme që paguhen nga punëdhënësi” , për të vijuar më pas me ofrimin e të tjera raporteve siç janë “Raportet për leje barrëlindje”, “Raportet për kompensim në rast sëmundjeje ose shtatzënie kur ndryshon vendi i punës”, “Raport për paaftësi të përkohshme në punë, për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale” , “Raport mjekësor për sëmundje që trajtohen nga komisioni mjekësor dhe mbulohen nga sigurimet shoqërore”, “Raport mjekësor për sëmundje që trajtohet nga institucionet me shtretët”, “Raport mjekësor për nxënësit dhe studentët” e “Vërtetimi i aftë për punë”.
Portofoli i këtyre shërbimeve nuk përfundon këtu. Listës së e-raporteve që mund të merren në rubrikën “Dokumentet e mia” në portalin e-Albania i është shtuar edhe raporti për prindërit që kujdesen për fëmijë të sëmurë deri në moshën 14 vjeç dhe që janë në marrëdhënie pune dhe paguhen nga punëdhënësi për ditët e qëndrimit në shtëpi. Pas vlerësimit të gjendjes së pacientit dhe kohën e nevojshme të shkëputjes nga puna deri në rikuperimin e plotë, mjeku lëshon raportin elektronik të nënshkruar elektronikisht, i cili mbërrin menjëherë në llogaritë e punëdhënësit dhe punëmarrësit në portalin e-Albania. Gjithashtu, mjeku pajis pacientin me kodin unik të raportit, i cili vjen edhe si njoftim në SMS, përmes së cilit mund të shihet në çdo kohë sistemit ”Kontrollo.eraporte.gov.al”.
Sistemi elektronik i raporteve mjekësore bën të mundur menaxhimin e dokumentacionit dhe krijon një arkiv digjital të sigurt. Pacientët, tashmë, kanë akses në historikun virtual mjekësor të periudhave të paaftësisë për punë dhe diagnozave të dhëna nga mjeku per cdo raport, por edhe punëdhënësve u krijohen avantazhe në përdorimin efikas të informacionit për të punësuarit, qoftë në institucione publike ashtu edhe në ato private.
Leave feedback about this