“I pamundur miratimi kredive të reja”- Kadastra bllokon edhe bankat, noterët: Vetëm 1 nga 5 aplikime merr përgjigje, askush s’mban përgjegjësi
Aktualitet

“I pamundur miratimi kredive të reja”- Kadastra bllokon edhe bankat, noterët: Vetëm 1 nga 5 aplikime merr përgjigje, askush s’mban përgjegjësi

 Nga muaji korrik, sportelet fizike që funksiononin për dhënie informacioni në kadastër u mbyllën, duke kaluar çdo gjë online. Paralelisht me sistemin e ri të ofrimit të shërbimeve nga rezultati i shortit, tregu është paralizuar, pasi shumë aplikime janë pa përgjigje.

Ky realitet shqetësues konfirmohet nga edhe shifrat e aplikimeve nga zyrat e noterëve, si hallka kryesore mes qytetarit dhe kadastrës.

“Mund t’ju konfirmoj që nga data 1 korrik e deri në 10 gusht janë kryer 5655 aplikime, por vetëm 1300 prej tyre kanë marrë përgjigje. Shifrat nuk janë pozitive, por ne themi se jemi në fazën e parë të këtij procesi dhe shpresojmë se situata do të ndryshojë në vazhdim. Ndërkohë që ka një ecuri më pozitive aplikimet me procedurë të përshpejtuar, të cilat kushtojë edhe më shumë”, sqaroi Fatmir Lacej nga Dhoma Kombëtare e Noterëve.

Sistemi i ri i miratuar parashikon që një aplikim në Tiranë mund të shqyrtohet nga një zyrë kadastre e një tjetër qyteti, duke shmangur kështu mundësinë e korrupsionit. Por pavarësisht qëllimit pozitiv të këtij sistemi, noterët thonë se, që revolucioni digjital të ketë sukses, duhet që zyrtarët të mbajnë përgjegjësi deri në ndjekje penale.

“Ne jemi të mendimit se punonjësit e kadastrës duhet të jenë më të përgjegjshëm. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për mos kthim përgjigjesh në kohë. Deri më tani problem kryesorë mbetet fakti që nuk respektohen afatet e përcaktuara nga vet ligji duke sjellë zvarritje të shërbimeve”, theksoi Lacej për “Vizion Plus”.

Sipas noterëve duket se është kthyer në praktikë pune që për një aplikim të kërkohen dokumente shtesë të panevojshme duke i zvarritur procedurat pa limit. Nga muaji maj 2022 qeveria vendosi të ofrojë 90% të shërbimeve publike online, duke e konsideruar këtë vendim si revolucion digjital në çështjen e pronave. Por deri më tani, shifrat tregojnë se zyrat e kadastrës kanë dështuar ta meritojnë këtë emër.

Kreditë

Pas noterëve edhe sistemi bankar shprehet i shqetësuar se Agjencia Kombëtare e Kadastrës ka bllokuar kredidhënien. Sipas të dhënave gjatë muajit korrik, bankat nuk kanë mundur të miratojnë kredi të reja. Shkak është bërë moskthimi i përgjigjeve nga kadastra për aplikimet që qytetarët bëjnë për pronat që kërkojnë t’i vendosin si garanci për huadhënien.

“Në praktikë është vërejtur një bllokim jo tërësor, pasi procedurat e shpejta dhe me kosto më të lartë kanë funksionuar. Por eficenca është kaq e ulët sa 1 në 5 aplikime merr përgjigje. Kjo na shqetëson dhe na kanë vënë në vështirësi ne si sistem bankar. Të gjitha aplikimet e reja të korrikut por dhe ato të mbartura nga qershori për kredi me kolateral nuk ka marrë udhë, pasi pronat as bllokohen as regjistrohen, duke krijuar ngërç për ne”, shprehet Spiro Brumbulli, sekretar shoqata e bankave.

Pos kthimi i përgjigjeve në kohë nga ana e kadastrës ka një dëm të konsiderueshëm jo vetëm për bankat, por për ekonominë në tërësi. Në një muaj sistemi bankar mesatarisht jep kredi të re 18-22 miliardë lekë.

“Bankat kredidhënien e kanë fokus kryesor të punës së tyre. Kjo do të thotë se ne në një muaj nuk i kemi dhënë ekonomisë 18 miliardë lekë, duke përjashtuar ato kredi konsumatore, të cilat nuk kanë nevojë për kolateral. Pjesa dërrmuese e huadhënies jepet me garanci ndaj dhe për ne komunikimi me kadastrës është i rëndësishëm”, vijon më tej Brumbulli. Noterët, por dhe bankat, ankohen për indiferentizmin që po tregon institucioni i kadastrës përballë kësaj situate. Ka një indiferentizëm nga ana e kadastrës. Pavarësisht një komunikimi që ne kemi pasur, duke i shprehur shqetësimin tonë, ajo që vërejmë është se nuk ka një përgjigje prej tyre. Pra, ne duam të dimë sa do të zgjasë kjo situatë, kur do të marrin udhë aplikimet, cilat do të jenë afatet e reja të shqyrtimit të aplikimeve?”, shprehet ai.

Gjatë muajit korrik, nga 5500 aplikime që kanë bërë noterët, vetëm 1300 prej tyre kanë marrë përgjigje nga kadastra. Nëse këtyre praktikave do t’i shtonim dhe aplikimet e mbartura më herët, mund të thuhet ky institucion mban peng shërbimet për qytetarët dhe ekonominë. /Monitor

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X