Teksa janë me mijëra qytetarët që nuk po arrijnë dot të zgjidhin problematikën e pronësisë së pasurive të paluajtshme, duke kërkuar zgjidhje nga shteti, si për ironi ky i fundit duket se është i zënë në të njëjtin “çark”.
Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) ka dalë në përfundimin se sot nuk ka një inventar të plotë të pasurive shtetërore dhe publike, ndërkohë që procesi i regjistrimit të tyre është në nivele tepër të ulëta.
Audituesit nënvizojnë nga sektori i procedurave të transferimit të pronës shtetërore, për institucionet qendrore dhe ato në varësi të tyre që nga viti 2003 deri në 2022, janë miratuar 82 VKM, ndërsa për institucionet e pavarura janë miratuar 6 VKM.
“Në nivel qendror, referuar listave të miratuara në Republikën e Shqipërisë rezultojnë përafërsisht 16,572 prona, nga të cilat 11,385 prona i përkasin Shoqërive Anonime, me aksionarë shtet. Në total rezulton se nga 16,572 prona shtetërore të miratuara nëpërmjet 88 VKM-ve, vetëm 1302 prej tyre janë regjistruar ose 9%.
Raportimi i shifrave në lidhje me pasuritë shtet bëhet përmes emërtesës “pronë”, por duhet theksuar se një pronë e pasqyruar në listat e inventarit të institucioneve shtetërore mund të përbëhet nga disa pasuri,” thuhet në raport.
Shkak për këtë situatë duket se janë kostot që shoqërojnë procedurën e regjistrimit të një prone. Për çdo procedurë pranë Kadastrës duhet të paguash një tarifë dhe kjo ngarkesë vlerësohet e papërballueshme nga bashkitë.
“Nga auditimi rezulton se pengesa kryesore në regjistrimin e pasurive shtetërore nga ana e bashkive është tarifa e regjistrimit. Transferimi i pronave me Vendime të Këshillit të Ministrave nuk është shoqëruar edhe me asistencë financiare, përmes përfshirjes së këtyre fondeve në fondin e pakushtëzuar apo në fondet specifike që bashkitë marrin për funksione të caktuara.
Ndryshimet e reja ligjore, konkretisht Ligji 20/2020 ndonëse i kushton një rëndësi të veçantë në Kreun IV përditësimit, inventarizimit, transferimit dhe regjistrimit të pronave shtetërore, në nenin 43, parashikon se tarifa e regjistrimit për institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë e reduktuar.
Por, ky përcaktim ligjor nuk është i reflektuar në Vendimin nr. 389, datë 13.5.2020 “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale” , duke mos përcaktuar në asnjë dispozitë sesi do të bëhet ky trajtim i diferencuar përmes tarifave të reduktuara dhe në ç’masë do të jetë kjo tarifë,” thuhet në dokumentin e KLSH.
Lidhur me këtë problematikë është rekomanduar që së pari të jetë ASHK ajo që duhet të marrë masa për të caktuar nivelin e reduktuar të tarifave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, duke e vlerësuar këtë nivel në bashkëpunim me Drejtorinë e Financave Vendore në Ministrinë e Financave, me qëllim që pagesa e këtyre tarifave të mos krijojë kosto të mëdha për buxhetet modeste të bashkive.
Së dyti, për të pasur një ndjekje më të mirë të procesit është rekomanduar që sektori i procedurave të transferimit të pronës shtetërore në ASHK të marrë masa që të kërkojë nga bashkitë numrin e aplikimeve që janë kryer pranë DVASHK-ve përkatëse për regjistrimin e pasurive.
Në bazë të këtij informacioni të hartojë një statistikë të përvitshme mbi ecurinë e regjistrimit të pasurive shtetërore./MONITOR
Leave feedback about this