Puna për hartimin e fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe po vazhdon. Punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare, teksa tashmë grupet e punës po punojnë për seleksionimin e fjalëve të duhura për secilin përdorim.
Ishin parashikuar të mblidheshin 100.000 mijë fjalë, por puna kërkimore e gjuhëtarëve do të reflektojë në fjalor rreth 120 mijë fjalë, mes tyre 3000 mijë nga arbëreshët, të cilët do pasqyrohen në këtë botim.
“Nga 260 pak a shumë jemi rrotull 120 mijë fjalë dhe jemi në fazën e hartimit të fjalësit. Jemi në fazën e shpjegimit të fjalëve.”
Drafti i pari i punës voluminoze do të botohet online në fund të këtij viti, i cili njëkohësisht do të përshtatet për të funksionuar si fjalor online.
“I shkruar do të dalë në 2025, online mendohet dhe po synohet që të mbërrijmë nga fundi i vitit për të dhënë një draft të përgjithshëm. Ky do të jetë një fjalor që do të përdoret edhe online.”
Pedagogu Shezai Rrokaj, që në këtë proces mban edhe rolin e nënkryeredaktorit, thotë se pas publikimit, fjalori duhet të shpërndahet në të gjitha bibliotekat dhe shkollat.
“Ky është problem, ky është problem i madh që Ministria e Arsimit duhet të pajisë bibliotekat me fjalorët dhe çdo mësues i Gjuhës Shqipe duhet ta ketë mjet pune në tavolinë. Më vjen keq ta them, por hapësira njohëse e jonë mbi fjalët shqipe është shumë e cunguar.”
Ky fjalor është një punë mes Akademisë sonë së Shkëncave dhe Akademisë së Shkencave të Kosovës, dhe gjuhëtarë nga Maqedonia e Veriut. Ai do të botohet në 2025, ndërsa i fundit fjalor i madh i Gjuhës Shqipe është ai i bërë në 2002.
Leave feedback about this