Në vitin 2023, në Bashkimin Europian kishte 229 milionë femra dhe 219 milionë meshkuj. Kjo korrespondon me një raport prej 104.6 femra për 100 meshkuj, që do të thotë se ka pasur 4.6% më shumë femra. Sa i përket shpërndarjes së shifrave mes vendeve, të dhënat tregojnë se kishte më shumë femra se meshkuj në të gjitha vendet e BE-së, përveç Maltës, Suedisë, Luksemburgut, Islandës, Norvegjisë dhe Sllovenisë. Normat më të larta u gjetën në Letoni me rreth 16% më shumë femra se meshkuj dhe Lituani me rreth 14% më shumë.
Por si paraqitet raporti gjinor në vendin tonë? Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave”, në Shqipëri kishte rreth 1.36 milionë meshkuj dhe 1.39 milionë femra në vitin 2023. Pra, raporti në Shqipëri për vitin që lamë pas llogaritet në 102 femra për 100 meshkuj, ose 2% më shumë femra se meshkuj. Ndër vendet e rajonit shohim se Serbia ka raportin më të lartë me 105.6 femra për 100 meshkuj, ose 5.6% më shumë.
Për krahasim, 20 vjet më parë, pra në vitin 2003, kishte 5.4% më shumë femra se meshkuj në BE, me një raport minimal prej 101.3 ferma për 100 meshkuj në Irlandë dhe një maksimum prej 118.0 në Letoni. Gjatë periudhës 2003-2023, rritja më e lartë e normës u regjistrua në Bullgari, nga 105.3 në 108.0 femra për 100 meshkuj, ndërsa rënia më e lartë ishte në Maltë, nga 101.8 në 90.3 ferma për 100 meshkuj.
Në vitin 2003, të dhënat e EUROSTAT për Shqipërinë tregojnë se raporti ishte 100.5 femra për 100 meshkuj, pra gati i barabartë. Përgjatë 20 viteve duket se Shqipëria rednitet mes vendeve të Europës me rritjen më të lartë të normës.
Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave”, përgjatë vitit 2022, jetëgjatësia e pritur në lindje duket se ka ndjekur një trajektore pozitive duke shënuar rritje. Ky tregues në Shqipëri për të gjithë popullsinë ishte 79.1 vite, ndërkohë shifrat e vitit 2022 tregojnë se gratë në vendin tonë jetuan mesatarisht 80,9 vite, ndërsa burrat 77.3 vite. Pra, mund të themi se gratë jetuan 3.6 vite më shumë se burrat, duke ndikuar kështu edhe tek raporti gjinor.
Leave feedback about this