Vendorët ulën 20% borxhet në 2023, por vetëm 55 bashki janë pa probleme financiare
Aktualitet

Vendorët ulën 20% borxhet në 2023, por vetëm 55 bashki janë pa probleme financiare

Në rang vendi, detyrimet e prapambetura për 2023 nga 61 bashkitë u ulën me rreth 20%, krahasuar me vitin 2022, sipas raportit “Qeverisja Qendrore në Shqipëri” të Institutit të Bashkive të Shqipërisë.

Totali i detyrimeve të prapambetura për 2023 arrin në vlerën e 4,75 mld lekëve, kundrejt vlerës prej 5,9 mld lekë.

Pavarësisht ecurisë për reduktimin e detyrimeve të prapambetura, 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura ku spikasin bashkia Durrës (+201 milionë lekë), bashkia Lezhë (+75.4 milionë lekë), bashkia Elbasan (+74.3 milionë lekë) dhe bashkia Klos (+53.7 milionë lekë).

Nga ana tjetër, vërehet ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga bashkia Tiranë (-391.6 milionë lekë), bashkia Dibër (-219.6 milionë lekë), bashkia Kuçovë (-156.5 milionë lekë), dhe bashkia Pustec (-145.9 milionë lekë).

Vlen të përmendet fakti që bashkia Këlcyrë dhe bashkia Patos për të tretin vit radhazi nuk krijojnë asnjë detyrim të prapambetur ndaj palëve të treta. Sipas raportit nga 10 bashkitë me borxhin më të madh, si përqindje e totalit të detyrimeve të prapambetura, kryesojnë bashkitë e Kavajës dhe Tiranës të cilat kanë secila mbi 16.5% të totalit të borxhit pasuar nga Vora (7.6%), Durrësi (6.6%), Pogradeci (4.7%) dhe bashkitë e Dibrës, Lezhës, Dimalit, Kamzës dhe Cërrikut. 16.7% 16.6% 7.6% 6.6% 4.7% 3.6% 3.6% 3.5% 2.9% 2.8%.

5 bashki në vështirësi financiare, 1 bashki me probleme financiare

Në raport me shpenzimet faktike të kryera nga 61 bashkitë nga burimet e veta, evidentohet se 5 nga 61 bashkitë e marra në analizë ndodhen në situatën e Vështirësisë Financiare të përcaktuar në nenin 56 të ligjit nr.68 datë 27.04.2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, duke qënë se detyrimet e prapambetura të tyre e tejkalojnë kufirin e 25% të shpenzimeve vjetore. 5 bashkitë në vështirësi financiare janë ajo e Cërrikut, Kavajës, Klosit, Dimalit dhe Vorës. Ndërsa bashkia Memaliaj është me probleme financiare.

Pavarësisht se vlerat relative të detyrimeve të prapambetura për Bashkitë Kavajë (76.7%) dhe Vorë (50.9%) janë poshtë nivelit prej 80% të kufirit ligjor të sipërcituar, në raport theksohet se këto bashki duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha, si në kahun e të ardhurave dhe në atë të shpenzimeve për të ulur më tej këtë nivel të lartë detyrimesh përgjatë vitit 2024 e në vijim.

Gjysmën e totalit të detyrimeve të bashkive e zënë ato për investime

Detyrimet e pashlyera për projekte në investime vijojnë të përbëjnë peshën më të lartë të totalit të borxhit. Sipas raportit vlerësohet se në analizën e komponentëve kryesorë të detyrimeve të prapambetura të evidentuara deri në fund të 2023, vërehet se gati gjysmën e totalit të detyrimeve të prapambetura e zënë detyrimet ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike (2.25 miliardë lekë).

Ndërkohë që detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta si dhe për vendime gjyqësore kapin 539 milionë lekë dhe 342 milionë lekë respektivisht. Në zërin “Të tjera”, me një total prej 1.2 miliardë lekë, pjesën dërrmuese e zënë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike të NJQV ndaj OSHEE sh.a./Monitor

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X