Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka prezantuar sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik projektligjin e ri për “Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon të nxisë dhe zhvillojë shkencën e hapur në vendin tonë. Manastirliu theksoi nevojën për rishikimin e ligjit aktual të vitit 1994, me synim që të rriten mundësitë për zhvillimin e shkencës dhe kërkimit shkencor në vend. Ky projektligj është në përputhje me parimet e shkencës të Bashkimit Evropian dhe parashikon krijimin e institucioneve të posaçme që do të koordinojnë punën për të nxitur kërkimin shkencor, me qëllim që kjo t’i shërbejë zhvillimit shoqëror.
“Është një projektligj që është dashur gati 2 vjet e gjysmë për t’u konsultuar me grupet e interesit dhe me ekspertë ndërkombëtarë, për të punuar për hartimin e një ligji që reflekton dhe adreson sfidat e kohës, por edhe krijon mundësitë për të pasur një organizim funksional të sistemit të shkencës së hapur, të këtij ekosistemi që sot më shumë se kurrë kërkon mbështetje në shumë dimensione. Në të njëjtën kohë është dhe kërkesë e të gjithë procesit për hyrjen në Bashkimin Evropian, ku në raportin e progresit është vendosur në kapitullin 25 finalizimi i ligjit për ‘Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë’, për të zgjeruar bazën e aktorëve të përfshirë në kërkimin shkencor, si një nga prioritetet e zonës europiane të kërkimit,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Leave feedback about this