Shumica e plazheve në Shqipëri rezulton se kanë ujë të pastër dhe të pandotur. Sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, plazhet më cilësinë më të mirë të ujit për larje në bregdetin Adriatik janë ato të Shëngjinit, Velipojës, Tales, Spitallës, Semanit, Darzezës dhe Divjakës.
Monitorimet nxorrën në pah se 100% e ujërave bregdetarë në këto plazhe përgjatë vitit 2022 kishin cilësi të shkëlqyer.
Ndërsa në ujërat e bregdetit Jonian, plazhet krejtësisht të pastra rezultojnë ato të Palasës, Zvërnecit, Dhërmiut, Drimadhes, Jalës, Livadhes, Qeparoit, Borshit dhe Lukovës. Në bregdetin e këtyre plazheve nuk është gjetur asnjë stacion me cilësi të keqe uji.
Kështu 67.5 % e stacioneve të plazheve në Shqipëri në vitin 2022 kishin cilësi të shkëlqyer uji për larje, 19.5% cilësi të mirë, 4.1 % cilësi të mjaftueshme, ndërsa 8.9% cilësi të keqe.
Në krahasim me vitin 2021, numri i stacioneve të plazhit me cilësi shumë të mirë është rritur, ndërsa i atyre me cilësi të keqe është ulur.
Megjithatë, sipas AKM, për 11 stacione plazhesh duhen marrë masa të menjëhershme për përmirësimin e cilësisë së ujit.
Plazhet më të papastra rezultojnë të jenë në Sarandë, Ksamil, Vlorë dhe Durrës.
Konkretisht 50% e stacioneve të plazhit të Sarandës, 33% e stacioneve të plazhit në Ksamil, 20% e plazheve të Vlorës dhe 14% e plazheve të Durrësit janë me cilësi të keqe.
Pjesa më e madhe e ndotësve mikrobiologjik e kanë origjinën nga aktivitetet njerëzore dhe shkarkimi i ujërave urbane të pa trajtuara.
Leave feedback about this