Raporti thotë se më të prekurit janë 15 vjeçarët
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në një raport të publikuar ditën e sotme bën me dije se rastet e tuberkulozit tek fëmijët po rriten me 10%, duke shkaktuar kështu alarm në kontinent. Sipas të dhënave nga ky raport, fëmijët nën 15 vjeç përbëjnë 4.3% e të gjitha rasteve të reja apo të rishfaqura në Evropë.
Edhe pse rajoni evropian po rimëkëmbet nga ndikimi i COVID-19, efektet e pandemisë vijojnë të ndihen në testimin, parandalimin, diagnostikimin dhe kujdesin për tuberkulozin. Sfidë mbetet fakti që për 1 në 5 fëmijë me tuberkuloz nuk dihet nëse e kanë përfunduar trajtimin, gjë që mund të çojë në rishfaqjen e tuberkulozit dhe transmetimin e tij të mëtejshëm.
Drejtoresha e ECDC, Dr. Pamela Rendi-Wagner, është shprehur se “Koha për të vepruar është tani! Me vetëm 5 vite për të përmbushur objektivat tona për 2030, është thelbësore që Evropa të rinovojë fokusin e saj në parandalimin dhe trajtimin në kohë dhe efektiv. Me rritjen e tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve, kostoja e mosveprimit sot do ta paguajmë të gjithë ne nesër.”
Në Evropë, trajtimi i suksesshëm i rasteve të reja dhe të rishfaqura që filluan trajtimin me barna në 2022-in ishte 75.5%, por në vitin 2023 u ul në 67.9%.
Sakaq, raporti thekson se infeksioni me HIV mbetet një çështje e vazhdueshme për pacientët me tuberkuloz në Evropë. Në vitin 2023, mbi 15% e pacientëve me tuberkuloz dhe të riprekur nga kjo sëmundje, ishin po ashtu të infektuar me HIV. Bëhet fjalë për më shumë se 19 mijë njerëz.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve shprehet se është thelbësore vendosja e një fokus më të madh dhe përmirësimin e strategjisë së parandalimit të tuberkulozit.
Leave feedback about this