Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) do të synojë të nxisë dhe promovojë emetimin Obligacioneve të Gjelbra (Green Bonds). Sipas strategjisë së Zhvillimit 2023-2027, ky objektiv përbën një nga prioritetet e Autoritetit, në mënyrë që fondet e përfituara nga emetimi i obligacioneve të alokohen në projekte me ndikim pozitiv tek klima apo mjedisi.Autoriteti, si pjesë e planit të veprimit të tij për financa të qëndrueshme, në linjë me praktikat evropiane (EU Green Bond Standard), synon vendosjen e një standardi për obligacionet e gjelbra. Sipas dokumentit, një standard i unifikuar për obligacione të gjelbra inkurajon pjesëmarrësit e tregut të emetojnë dhe të investojnë në këto instrumenta financiarë, duke rritur efektivitetin dhe besueshmërinë në tregjet financiare.Gjatë emetimit të obligacioneve të gjelbra, emetuesit përfitojnë nga imazhi dhe tregtueshmëria e tyre, ndërsa investitorët nga produkte që i përgjigjen objektivave të tyre të investimit. Kështu, përfshirja e sektorit financiar në investime që lidhen me qëndrueshmërinë krijon njëkohësisht mundësi për instrumente të reja financiare, që aktualisht i mungojnë tregut shqiptar të kapitaleve. Ky treg paraqet potencial të madh për zhvillimin dhe zgjerimin e produkteve financiare të qëndrueshme. Me qëllim zhvillimin e këtij tregu, AMF shprehet se do të bashkërendojë punën me institucione të tjera me rol kyç në tregun e kapitaleve, për të analizuar mundësinë e krijimit të standardeve për emetimin e obligacioneve të gjelbra. Financa e gjelbër dhe faktorët ESG (mjedisorë, social dhe të mirëqeverisjes) po marrin një rëndësi në rritje. Aktualisht, në nivel global po punohet për unifikimin e përkufizimeve ttë aktiviteteve që konsiderohen “green”, si dhe standardizimin e vlerësimit të faktorëve ESG (ESG rating), gjë që mbështet zhvillimin e tregjeve financiare të gjelbra drejt investimeve afatgjata të qëndrueshme. Standardizimi në nivel global i klasifikimit të produkteve financiare si produkte ESG nxit krahasueshmërinë e tyre dhe rrit besueshmërinë e investitorit, për të marrë vendimet e duhura, në përputhje me objektivat e tij lidhur me qëndrueshmërinë dhe faktorët ESG.AMF synon promovimin dhe zbatimin e parimeve ESG në praktikat e emetuesve dhe pjesëmarrësve të tregut. Edhe në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, përmes parashikimeve të Ligjit 56/2020 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, është krijuar mundësia për njohjen e SIK, të cilat janë sipërmarrje të qëndrueshme që marrin në konsideratë faktorët ESG. Sfidë e punës së Autoritetit është integrimi i faktorëve ESG për investime të qëndrueshme, rritja e ndërgjegjësimit të investitorit shqiptar për të orientuar vendimmarrjen e tij drejt produkteve financiare të gjelbra. Rritja e kërkesave për transparencë dhe informacion lidhur me faktorët ESG dhe menaxhimi i rrezikut të këtyre faktorëve përbën domosdoshmëri, në mënyrë që investitori të marrë vendime të mirëinformuara lidhur me produktet financiare. Në linjë me ndryshimet e ndërmarra në kuadrin rregullator të BE- së, Autoriteti synon krijimin e rregullave për transparencë, në mënyrë që shoqëritë komisionere/bankat, gjatë vlerësimit të përshtatshmërisë së klientit për një produkt, apo shërbim financiar të marrin në konsideratë edhe faktorët ESG dhe preferencat e klientit lidhur me këta faktorë. Autoriteti gjithashtu do të shikojë mundësinë për vendosjen e rregullave që parashikojnë detyrimin e investitorëve institucionalë dhe menaxherëve të aseteve për të bërë publike informacionin mbi integrimin e faktorëvë ESG në aktivitetin e tyre, përfshirë analizën e riskut të këtyre faktorëve. Autoriteti synon të vendosë kërkesa për hartimin e një benchmark-u përfshirë edhe atë klimatik, që i shërben vlerësimit të instrumenteve financiare dhe performancës së fondeve të investimit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Në projektligjin “Për fondet e pensionit privat”, Autoriteti ka parashikuar që në rast se faktorët ESG janë aplikuar në politikën e investimit të fondeve private të pensionit, shoqëritë administruese duhet t’i marrin në konsideratë këta faktorë gjatë procesit të vetëvlerësimit të rrezikut dhe të deklarohen në prospekt, si dhe në deklaratën mbi parimet e politikës së investimit për secilin fond./E.Shehu Monitor
Leave feedback about this