Banka e Shqipërisë pritet të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e ditës së enjte. Sipas burimeve të Monitor, ky vendim është i motivuar në një masë të madhe nga shqetësimet e lidhura me stabilitetin financiar në nivel global dhe efektet e mundshme, kryesisht psikologjike, që ky moment mund të sjellë në Shqipëri. Gjatë muajit mars, sektori bankar në SHBA u përball me falimentimin e një banke relativisht të rëndësishme, Silicon Valley Bank, ndërsa pak ditë më vonë tregjet financiare u trazuan nga kriza e radhës e bankës zvicerane Credit Suisse, që çoi në shitjen e imponuar të saj tek banka tjetër zvicerane, UBS. Në fakt, ekspertët mendojnë se zhvillimet e mësipërme nuk kanë lidhje direkte me njëra-tjetrën dhe për momentin nuk ka shenja të një krize më të gjerë të tregjeve bankare dhe financiare. Por, sidoqoftë, shqetësimet për efektet e mundshme psokologjike tek tregjet dhe konsumatorët ngelen. Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore Europiane vendosi në mesin e muajit mars të vazhdonte me rritjen e normave të interesit në masën 0.5%, ashtu siç kishte paralajmëruar në shkurt. Por, ndryshe nga sa kishte ndodhur në mbledhjet e fundit, BQE-ja u tregua e rezervuar për të dhënë orientime të ngjashme lidhur me vendimmarrjet e ardhshme (forward guidance). Fakti që BQE-ja nuk paralajmëri një rritje të re të normave të interesit i qetësoi disi tregjet dhe normat e interesit në Eurozonë, kryesisht treguesi i Euriborit, janë paraqitur më të qëndrueshme pas vendimit të fundit. Zhvillimet negative në tregjet financiare në javët e fundit dhe sidomos rënia e SVB Bank në SHBA i kanë vendosur bankat qendrore përballë sfidës për të gjetur një balancë të arsyeshme mes objektivave madhorë të shënjestrimit të inflacionit dhe ruajtjes së stabilitetit financiar. Norma bazë e interesit për lekun qëndron në nivelin 2.75% që prej muajit nëntor 2022, ndërsa në vazhdim Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur ta stopojë procesin e normalizimi të normave të interesit.Këshilli Mbikëqyrës e ka motivuar frenimin e rritjes së interesave kryesisht me rënien e inflacionit gjatë muajve të fundit. Sidoqoftë, kjo rënie i detyrohet produkteve me luhatshmëri të lartë, sidomos karburanteve. Inflacioni bazë, që reflekton pjesën më të qëndrueshme të inflacionit (përjashtuar çmimet e karburanteve dhe shumicën e produkteve ushqimore) ka vijuar të rritet dhe në periudhën janar-shkurt ka arritur nivelin më të lartë historik, 8.73%. Analistët e tregut mendojnë se nivelet e inflacionit dhe sidomos të atij bazë do të sugjeronin vijimin e rritjes së normave të interesit.Por, sipas tyre, stopimi i rritjes së interesave mund të jetë ndikuar më shumë nga nevoja për të stabilizuar tregun financiar, që në pjesën e dytë të vitit të kaluar u karakterizua nga një rritje e shpejtë e yield-eve, për shkak të pasigurisë së lartë që shkaktoi rritja e e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në javët e fundit, shqetësimet e lidhura me stabilitetin financiar janë nxitur nga faktorë të jashtëm, por sidoqoftë besohet se ato do të kenë një rol përcaktues në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, për të mos rritur as këtë herë normën bazë dhe për të shtyrë edhe pak në kohë vijimin e normalizimit monetar./Monitor
Ekonomi
Banka e Shqipërisë pritet të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit.
- March 23, 2023
- 0 Comments
- 115 Views
Leave feedback about this