Çmimet e orizit kanë arritur nivelin më të lartë në 12 vite tha agjencia e ushqimit e Kombeve të Bashkuara.
Ndalimi i eksportit nga India dhe kushtet e përkeqësuara të motit kanë sjellë mungesë në prodhim. Indeksi i Çmimeve për muajin korrik u rrit me 2.8%, në 129.7 pikë. Shifra është rritur 19.7% krahasuar me një vit më parë dhe regjistron vlerën nominale më të lartë që nga shtatori 2011.
India e cila zë 40% të tregtisë globale të orizit vendosi të ndalojë eksportet, pasi kërkon të qetësojë situatën e çmimeve në tregjet e saj të brendshme si dhe të ketë furnizime të nevojshme.
FAO vuri në dukje se kufizimi i eksportit nga India ngre shqetësime të konsiderueshme për sigurinë ushqimore për një pjesë të madhe të popullsisë botërore. Analistët e tregut shprehen për rritje të mëtejshme të çmimit edhe gjatë muajit gusht.
Sipas tyre, çmimet mund të rriten më tej nëse edhe vende të tjera ndjekin shembullin e Indisë në kufizimet e eksportit.
El Nino mund të përkeqësojë më tej rreziqet për prodhues të tjerë të mëdhenj aziatikë të orizit si Tajlanda, Pakistani dhe Vietnami. Orizi, duke qenë një kulturë e cenueshme, ka probabilitetin më të lartë të humbjes së njëkohshme të prodhimit gjatë një ngjarjeje të El Nino, tregoi një studim shkencor.
Leave feedback about this