Familjet e bizneset nuk kursejnë dot në lekë, ndërsa depozitat në valutë shtohen me 130 milionë euro në korrik
Aktualitet

Familjet e bizneset nuk kursejnë dot në lekë, ndërsa depozitat në valutë shtohen me 130 milionë euro në korrik

Ndonëse monedha vendase është leku, dhe të ardhurat e pjesës më të madhe të familjeve e individëve janë po në lekë, duket se fitimet më të mëdha janë në euro.

Këtë të paktën tregon tendenca e depozitave sipas llojit të monedhave në korrik, ku kursimet në lekë janë më rënie ndërsa ato në valutë janë me një rritje të ndjeshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik, stoku i depozitave në lekë arriti 545 miliardë lekë, me një rënie prej 0.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 1.8 miliardë lekë më pak.

Kjo rënie vjen pas rritjes në qershor, që ishte më e forta që nga dhjetori 2022. Pas qershorit, depozitat në lekë iu rikthyen sërish tendencës rënëse, që kanë shfaqur përgjatë këtij viti.

Pavarësisht tendencës rritëse të normave të interesit vitin e fundit, si rrjedhojë e politikës monetare shtrënguese të Bankës së Shqipërisë, që rriti normën bazë disa herë për të frenuar inflacionin, depozitat në lekë nuk kanë njohur ndonjë zgjerim të ndjeshëm. Me bazë vjetore, kursimet në lekë janë rritur vetëm me 0.6%.

Kjo mund të reflektojnë si paaftësinë për të kursyer, për shkak të rritjes me ritme shumë të larta të çmimeve në raport me të ardhurat, ashtu dhe kanalizimin e investimeve në letrat me vlerë të qeverisë, të cilat kishin norma më të larta interesi sesa depozitat.

Kursimet në valutë rriten me 130 milionë euro

Ndryshe nga kursimet në lekë, ato në valutë kanë shënuar rritje të qëndrueshme vitet e fundit. (Monitor po i raporton depozitat në valutë nga statistikat e veçanta për euron, që mbizotëron, pasi të dhënat totale të depozitave të Bankës së Shqipërisë jepen në lekë, çka ul vlerën e kursimeve në euro për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës së përbashkët).

Në fund të korrikut, stoku i kursimeve në euro arriti në 6.8 miliardë euro, me një rritje prej 1.9% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 130 milionë euro më shumë, zgjerimi më I fortë që nga gushti I vitit të kaluar.

Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 16.6%, ose 976 milionë euro më shumë.

Në korrik dhe në gusht depozitat në valutë njohin gjithmonë rritje të fortë të ndikuara nga prurjet e emigrantëve.

Vitet e fundit ndikim ka dhënë dhe ecuria e mirë e turizmit, që sjell më shumë valutë në vend si përmes konsumit, hotelerisë, ashtu dhe individëve që japin shtëpitë me qira ditore, një tendencë që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më e fortë, sidomos në muajt e verës. MONITOR

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X