Vijojnë debatet mes Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) dhe përfaqësuesve të furrave të bukës për përftimin e tarifës së subvencionuar të energjisë elektrike.
Nga ERE dhe FSHU është kërkuar që tarifa e subvencionuar e energjisë elektrike të paguhet vetëm nga furrat që prodhojnë bukë masive.
Për subjektet e tjera prodhueseve, pra që prodhojnë produkte të tjera të brumit apo të pastiçerisë të dalin në treg të lirë të furnizimit të energjisë ose të paguajnë tarifën prej 14 lekë për kwh, dyfishi i asaj që paguajnë sot. Bizneset që kanë dalë në tregun e liberalizuar furnizohen me energji me çmim 18 lekë për kwh, pothuajse tre herë më e lartë.
Prej vitit 2018 sipas vendimit të ERE për tarifat e energjisë elektrike për “furra buke dhe prodhim mielli për tension 0.4 kv tarifa e energjisë është 7.6 lekë për kwh, ndërsa për “furra buke dhe prodhim mielli në tensionin 10 dhe 6 kV tarifa e energjisë është 7.1 lekë.
Sakaq burime nga FSHU thanë për “Monitor” se nga inspektimet në terren është konstatuar se tarifa e subvencionuar prej 7,6 lekë për kwh po përfitohet edhe nga furra që ofrojnë shërbime të pastiçerisë apo prodhimeve të tjera të brumit.
Nga FSHU theksohet se politika subvencionuese për tarifën e energjisë është miratuar me qëllim lehtësimin e kostove ndaj prodhuesve të bukës masive dhe mosndryshimit të çmimit për konsumatorët, ndërkohë që në treg ndër vite rezulton që çmimi i bukës është rritur.
Pavarësisht kësaj situate nga FSHU të kërkohet të bëhet diferencimi i prodhuesve dhe tarifa e subvencionuar ashtu siç është përcaktuar dhe në rregulloren e ERE të paguhet vetëm nga prodhuesit e bukës masive. Në të kundërt furrat e tjera të dalin në tregun e liberalizuar të energjisë apo të paguajnë tarifën prej 14 lekë për kwh.
Përfaqësues nga Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave dhe Pastiçerive pohuan për Monitor se është e pamundur që prodhimi të ndahet në dy aktivitete me certifikata të ndryshme pronësie. Prej tyre është kërkuar dhe tashmë janë duke diskutuar me ERE dhe FSHU ndarjen fizike të ambienteve që do të përkojë me instalimin e dy matëseve të energjisë elektrike. Nga shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave do të kërkohet përcaktimi i një tarifë të ndërmjetme midis nivelit 7,6 dhe 14 lekë për kwh të energjisë për bizneset e prodhimit të produkteve të tjera të brumit, si byrek etj dhe pastiçerisë.
Çmimi i bukës masive prej muajit mars 2022 vijon të jetë 100 lekë. Për periudhën 2021-2022 çmimi i bukës u rrit 3 herë radhazi me një rritje totale prej 71%.
Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të 2021 ku buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë. Në mesin e muajit mars 2022 çmimi i bukës shënoi sërish rritje prej 20%, duke arritur në 100 lekë për copë, për shkak të shtrenjtimit të miellit nga mungesa e prodhimit dhe embargos së eksportit me Rusinë pas nisjes së luftës.MONITOR
Leave feedback about this