Temperaturat e larta dhe ekspozimi në diell kanë shtuar problematikat në shëndet ku rastet më të shpeshta janë sëmundjet gastroenteritete me fokus aparatin tretës. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik për javën e fundit të korrikut, tregojnë për rreth 2367 pacientë të sëmurë që kanë kërkuar ndihmë të specializuar në spital.
Sipas informacionit zyrtar nga ISHP, në këtë periudhë mbizoterojnë gastroenteritet të cilat janë kryesisht ose pothuajse të gjitha me natyrë virale.
“Numri javor i rasteve me Diarre është 2367 nga të cilat në grupmoshën pediatrike 0-14 vjeç janë 1311 ndërsa mbi 14 vjeç janë 1056 raste. Kjo është një situatë epidemiologjike normale për stinën. Shumica e rasteve janë raportuar nga Urgjencat e Spitaleve dhe janë të shpërndara, pa grumbullime dhe lidhje epidemiologjike ndërmjet tyre”, thotë për gazetën “SI”, specialisti i shëndetit publik në ISHP Artan Simaku.
Sipas Simakut, edhe në zonat turistike situata epidemiologjike vijon e qetë dhe pa probleme. Simaku thekson se nga testimet rutine dhe periodike të kryera nga ISHP, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, nuk janë evidentuar raste me shkaktar nga Rotavirusi, çka vërteton efektivitetin e vaksinës ndaj rotavirusit të përfshirë në kalendarin kombëtar të Vaksinimit.
“Nga testimet janë izoluar enteroviruse të tjerë si: adenovirus, sapovirus dhe norovirus të cilët nuk shkaktojnë klinikë të rëndë si rotavirusi dhe kryesisht nuk kërkojnë shtrim në spital”, nënvizon eksperti i ISHP, Artan Simaku.
Sipas tij, ndryshe nga viti i kaluar, në këtë periudhë janë shtuar rastet me sëmundjen Dorë-këmbë -gojë në muajt qershor dhe korrik të shkaktuar nga enterovirus.
“Kjo kërkon një rritje të kujdesit në lidhje me higjienën qoftë në institucionet parashkollore ashtu edhe në shtëpi”, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Bazuar në statistikat e shkuara gjatë sezonit veror, piku i gastroenteriteve kulmon në muajin gusht dhe masat kryesore të parandalimit janë higjiena e përshtatshme dhe kontakti direkt me mjekun e familjes për të marrë këshillat dhe trajtimin e duhur. Gjithashtu është e rëndësishme për nënat që, nëse fëmija paraqet shenja sado të lehta, të mos dërgohen në çerdhe apo në kopësht, për të shmangur infektimin e fëmijëve të tjerë. Nga ana tjetër, ekspertët e shëndetit publik bëjnë apel që të respektohen me rigorozitet këshillat e mjekut për përballimin e temperaturave të larta.
Në lidhje me infeksionet respiratore, të dhënat e ISHP tregojnë për rënie tē rasteve, me 6600 raste javore, prej të cilave 3890 janë grupmosha 0-14 vjeç, ndërsa mbi 14 vjeç janë 3100 raste.
“Përsa i përket virozave respiratore, gjate katër javëve të fundit nuk janë evidentuar raste me grip ndërsa rastet me Covid-19 jane sporadike 0 deri ne 3 raste në javë dhe vetëm tek moshat e rritura”, thotë për gazetën “SI”, specialisti i ISHP, Artan Simaku./GazetaSi
Leave feedback about this